Pas katër vitesh në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje po përballet me krizën më të thellë politike që prej ardhjes në skenë. Nga një lëvizje që premtonte ndryshim dhe drejtësi, ajo është shndërruar në një strukturë të mbyllur, që funksionon me logjikën “ne kundër të gjithëve” – një filozofi që ka prodhuar përçarje të brendshme, izolim të jashtëm dhe rrëshqitje të mbështetjes elektorale. Kurti, që shpesh përdor gjuhë nënçmuese ndaj kundërshtarëve, i atribuohet një retorikë që fyeu jo vetëm partitë opozitare, por edhe votuesit e tyre. Në anën tjetër, ish-partnerët e tij politikë theksojnë se Kurti nuk kërkon koalicion, por nënshtrim politik. Kjo qasje e ka lënë vendin në ngërç institucional, me horizonte të mjegullta për formimin e një qeverie të re. Izolimi ndërkombëtar: pasojë e kokëfortësisë politike Në planin ndërkombëtar, raportet e tensionuara me SHBA-në dhe BE-në e kanë kthyer Kosovën në një rast të pazakontë izolimi diplomatik në Ballkanin Perëndimor. Që nga rrëzimi i “Qeverisë Kurti 1” deri te masat ndëshkuese të BE-së dhe pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA, Kosova ka humbur terren politik e kredibilitet ndërkombëtar. Në terrenin e brendshëm, Vetëvendosje ka pësuar rënie të elektoratit prej rreth 8 për qind brenda katër vjetësh – një sinjal i qartë lodhjeje nga retorika dhe mungesa e rezultateve konkrete. Një parti që dikur sfidonte sistemin, sot është peng i sistemit që e krijoi vetë – izoluar nga jashtë, e konsumuar nga brenda, dhe në pritje të një cikli të ri zgjedhor që mund të vulosë ose rënien, ose ringjalljen e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
