Edi Rama: Kosova është shtet në të drejtën e vet, por jo për Serbinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në Forumin e Paqes që po mbahet në Paris, ka theksuar se Kosova është një shtet në të drejtën e vet, por se për Serbinë kjo vazhdon të jetë çështja më e ndërlikuar në rajon. Rama ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke e quajtur atë “të vetmen rrugë për stabilitet, zhvillim dhe integrim në Bashkimin Evropian”. Ai ka theksuar se përkundër dallimeve politike, vendet e rajonit duhet të fokusohen në lirinë e lëvizjes dhe bashkëpunimin ekonomik. “Ne jemi të bindur se paqja është më e vlefshme se çdo fitore tjetër. Sa më i lumtur të jetë fqinji, aq më e qetë është edhe shtëpia jote. Pra, mos kujdes vetëm për veten, por mendo edhe për fqinjin”, ka deklaruar Rama, duke shtuar se me Serbinë ekziston një problem i madh që lidhet me njohjen e Kosovës. Sipas tij, alternativa ndaj përplasjeve është bashkëpunimi, pasi “nxitja e tensioneve do të dëmtonte vetë ekonomitë dhe të ardhmen e vendeve tona”. Në vijim, Rama ka bërë një krahasim simbolik mes Ballkanit dhe Evropës, duke thënë se ndërsa dikur Ballkani akuzohej për përçarje, “sot është vetë Evropa që po ballkanizohet”. Ai e përmbylli fjalën me tone ironike, duke shtuar se “kur të shkojmë para Shën Pjetrit, do të kemi vendin tonë në parajsë, sepse vijmë nga ferri dhe dimë çfarë është paqja”.

Kontrolloni gjithashtu

Vetëvendosja në krizë narrative: nga “moral politik” në izolim të brendshëm dhe ndërkombëtar

Pas katër vitesh në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje po përballet me krizën më të thellë politike …