Dhoma e Apelit në Hagë ka rrëzuar ankesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndarje ose shtyrje të rastit të tij për pengim të drejtësisë. Vendimi vjen pas kërkesës së mbrojtjes së Thaçit, e cila argumentonte se vështirësitë financiare dhe faza kritike e procesit gjyqësor e bënin të pamundur përballimin e dy rasteve në të njëjtën kohë. Sipas Apelit, argumentet e mbrojtjes nuk janë të bazuara, dhe gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm për vendimin e saj. Ankesa e Thaçit që gjyqtarja nuk kishte kompetencë për konfirmimin e aktakuzës gjithashtu është refuzuar. Mbrojtja e ish-drejtorit politik të UÇK-së kishte pretenduar se Prokuroria Speciale veproi njëanshmërisht dhe se një gjyqtare kishte kryer funksione të dyfishta në të njëjtin rast, duke rrezikuar vendime kontradiktore dhe cenimin e prezumimit të pafajësisë. Kërkesa për ndarje ose shtyrje të procesit ishte dorëzuar më 18 gusht, por shkalla e parë e kishte refuzuar, dhe Apeli tani e ka konfirmuar këtë vendim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
