Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Famir Limaj, ka bërë të ditur se gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, partitë politike kanë diskutuar edhe mundësinë që zgjedhja e presidentit të bëhet nga qytetarët përmes votës së drejtpërdrejtë. Një ndryshim i tillë kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, pasi për të nevojitet mbështetja e dy të tretave të deputetëve në Kuvend. Ishte një bashkëbisedim mbi mënyrat për të adresuar situatat e krizave. Një nga temat ishte mundësia që zgjedhja e presidentit të bëhet me vota të drejtpërdrejta të qytetarëve. Për ta realizuar këtë, duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe të arrihet mbështetja e 2/3 të deputetëve, tha Limaj. Ai shtoi se diskutimet kishin karakter konsultativ dhe të hapur, duke theksuar nevojën për një lidership që di të gjejë konsensus në situata kur vendi kërkon shumicë të theksuar për vendime të rëndësishme: “Më shumë ishte një bisedë e lirë mbi situatat e krizave që po na paraqiten. Na duhet lidership që di të ulet kur vendi ka nevojë për 2/3-tat, të dijë të tejkalojë vetveten dhe të arrijë zgjidhje konsensuale.” Diskutimi mbi zgjedhjen e presidentit me votë të drejtpërdrejtë vjen në një kohë kur procesi aktual politik në Kosovë është i tensionuar, pas zgjedhjeve të fundit dhe dështimeve për formimin e qeverisë së re.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
