Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, u takua sot në paraburgimin e Dhomave të Specializuara me ish-zyrtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-Presidentin Hashim Thaçi. Sipas deklaratës zyrtare të ministres, Thaçi ndodhet në gjendje të mirë dhe po ndiqte me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë. Spiropali përcolli përshëndetjet e saj dhe të qeverisë shqiptare për Thaçin, si dhe për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po mbahen në të njëjtin institucion. Ministrja nënvizoi mbështetjen e Ministrisë së Jashtme dhe të Kryeministrit Edi Rama për një procedurë të rregullt dhe të drejtë ligjore, që, sipas saj, duhet të synojë “drejtësi historike dhe jo padrejtësi historike”. Ajo apeloi gjithashtu që vendimi i institucioneve të Kosovës për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe Gjykatës Speciale të respektohet në frymën e tij origjinale dhe të mos deformohet. Spiropali theksoi rëndësinë e ndarjes së qartë midis luftës për çlirim — si akt i mbrojtjes së shtëpisë dhe jetës — dhe akuzave që mund të bien nën juridiksionin penal, duke kërkuar që e vërteta historike dhe sakrificat e popullit të mos cenohen.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
