Komisioni Evropian

Komisioni Evropian: Kosova duhet të përshpejtojë reformat dhe bashkëpunimin politik për të avancuar drejt BE-së

Komisioni Evropian ka miratuar Pakën Vjetore të Zgjerimit, duke dhënë një vlerësim të detajuar mbi progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve të tjerë gjatë vitit të kaluar. Në raport, theksohet se zgjerimi mbetet një ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa pranimi i shteteve të reja shihet si “më i arritshëm se kurrë më parë”. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE-ja është më e përkushtuar se kurrë për ta bërë zgjerimin realitet: “Një Bashkim më i madh do të thotë një Evropë më e fortë dhe më me ndikim në skenën globale. Anëtarësimi në BE është një ofertë unike,  një premtim për paqe, prosperitet dhe solidaritet.” Në pjesën që i kushtohet Kosovës, raporti vë në dukje se vonesa në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit ka ndikuar negativisht në ritmin e reformave evropiane. Komisioni thekson se forcimi i bashkëpunimit ndërpartiak dhe rikthimi i fokusit te prioritetet e reformave është thelbësor për të rifutur vendin në rrugën e integrimit evropian. Komisioni ka ndërmarrë hapa për heqjen graduale të masave ndaj Kosovës, por kjo është e kushtëzuar me deeskalimin e qëndrueshëm në veri dhe transferimin e rregullt të qeverisjes lokale pas raundit të dytë të zgjedhjeve. Kosova ka mbetur e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane, me një nivel të lartë mbështetjeje publike. Megjithatë, progresi i reformave është ngadalësuar. Komisioni është i gatshëm të përgatisë një Opinion mbi kërkesën e anëtarësimit të Kosovës, nëse këtë e kërkon Këshilli. Raporti nënvizon se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i plotë i angazhimeve nga Dialogu mbeten kushte themelore për perspektivën evropiane të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Seancat ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë shtyhen, dëshmitarët ndërkombëtarë vazhdojnë të japin dëshminë

Gjykata e Hagës, ka njoftuar se seancat e planifikuara këtë javë për ish-krerët e Ushtrisë …