Dëshmorët janë ndërgjegje kombëtare

Fjala e kryetarit të komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi në 27-vjetorin e rënies heroike të Tonit e Micit me shokë

Të respektuar familljarë të dëshmorëve, veçanërisht të dëshmorëve e heronjve që po i përkujtojmë sot; Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Nezir Imeri, Bektesh Haliti dhe Hamdi Hajrizi, invalidë e veteranë të luftës, të nderuar drejtues të shoqatave të dala nga UÇK nga Vushtrria dhe Rahoveci.

Pavarësisht kohës që kalon, pavarësisht viteve që mbeten pas nesh, pavarësisht zhvillimeve e ndryshimeve shoqërore tek ne, një gjë mbetet e pandryshuar përgjithmonë: lavdia dhe shkëlqimi hyjnor i dëshmorëve e heronjve tanë.

Në vendin ku jemi mbledhur sot, ku qemë mbledhur vit pas viti dhe ku do të mblidhemi edhe në të ardhmen, qëndron në heshtje ky monument i kulturës dhe i historisë tonë, – Kulla e Heronjve, që është ngritur për të nderuar heroizmin e madhështinë e atyre që nuk vdesinkurrë.

Në këtë vend, më 6 nëntor 1998, u ndeshën ballë për ballë dy forca krejtësisht antagoniste; një grup burrash me guxim u përballën me hordhitë serbe, që kishin torturuar, poshtëruar, fyer e vrarë njerëzit e kësaj toke për dekada me radhë.

Të vetëdijshëm se diku do të ndeshen me vdekjen, ata dëshmuan se mbi të gjitha dashuritë qëndronte ajo për Atdheun. Vdekja nuk ishte fjala e tyre e fundit. Pas lanë namin e lavdinë, lanë nderin e burrërinë, lanë gjurmët e hapave të tyre drejt lirisë e bashkimit të shqiptarëve. Ngjet sikur ai rrugëtim nuk është ndalur këtu në Opterushë, por jehona e atyre hapave dëgjohet përgjatë historisë dhe janë bërë kujtesë kolektive.

Ndërtimi dhe shkëlqimi i këtyre monumenteve, përgjatë rrugëve, shesheve e lëndinave tona, sikur na bëjnë thirrje për të ruajtur e kultivuar disa vlera që janë sublime, që janë më të çmueshme se vetë jeta jonë e përkohshme. Luftëtarët e lirisë dhe të rënët nëpër fushëbeteja janë ndërgjegje kombëtare, janë amanet që na fton të punojmë e përpiqemi fort e pa u ndalur për arritjen e synimit madhor – bashkimin e kombit.

Vdekjen nuk e do askush, sidomos jo ata që janë në lule të rinisë, jo ata që në jetë kanë synime, plane e ëndrra për të përmbushur. Mirëpo, Xhelali, Selajdini, Hamdiu, Bekteshi, Neziri dhe shumë dëshmorë të tjerë, ishin të vetëdijshëm se synimet e tyre jetësore nuk do të përmbusheshin nëse në qafën e tyre do të rëndonte çizmja e okupatorit serb. Prandaj, mësynë malet e bjeshkët dhe me zjarrin e lirisë që u digjte në gjoks, marshuan me kokën e lart e me besim në fitore.

,,Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.” – shkruante Sami Frashëri dikur.

Kjo thënie lapidare i ka frymëzuar shumë atdhetarë, emrat e të cilëve u bënë emblemë e kësaj lirie, prandaj nderimi e kujtimi për ta është detyrim moral, atdhetar e institucional.

Të nderuar të pranishëm, të respektuar familjarë të dëshmorëve,

Sa herë që qëndrojmë pranë përmendoreve e varreve të dëshmorëve, mendja na shkon edhe tek nënat e baballarët e tyre, tek trashëgimtarët e tyre, të cilët u bënë emblemë e vuajtjes dhe e durimit, emblemë e stoicizmit e krenarisë. Nënat e baballarët e dëshmorëve nuk janë vetëm të tyre, por edhe tanët. Janë kronikat e gjalla të dhimbjes e dashurisë, të respektit e nderimit deri në përlkulje. Bijtë e tyre janë kujtesa jonë kolektive, janë dëshmi e një të kaluare të vështirë, të rrezikshme, por të lavdishme. Ata janë ndërgjegje që troket në mendjen tonë në çdo minutë të jetës tonë, janë udhërrëfyesit e rrugëtimit tonë të përgjakshëm. Prandaj familjarët e të rënëve për liri duhet të ndjehen krenar që patën djem të tillë, të cilët me aktin heroik të rënies u bënë memorie kombëtare dhe shëmbëlltyrë atdhedashurie.

Mbetemi të përkushtuar të punojmë pa u lodhur dhe pa u mërzitur për jetësimin e aspiratave të luftëtarëve të lirisë dhe të të rënëve në fushë të nderit. Punën, djersën dhe mundin ua kemi borxh brezave që vijnë pas nesh, por mbi të gjitha e kemi peshë në ndërgjegje përmbushjen e synimeve madhore të dëshmorëve e heronjve, që ta ndërtojmë lirinë dhe të ecim krah popujve të civilizuar.

Lavdia e nderimi ju takon atyre që kuftuan e u flijuan për këto vlera sublime, ndërsa neve na mbetet të punojm fort dhe me nder për të nderuar kujtimin për ata që e vunë jetën e tyre në themelet e këtij vendi.

Lavdi e nderim Tonit, Micit, Bekteshit, Nezirit e Hamdiut!

Lavdi të gjithë të rënëve për liri e bashkim!

Opterushë, më 6 nëntor 2025

Kontrolloni gjithashtu

Pensionohet doktoresha Hamdije Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ishte prezent sot me rastin e pensionimit të …