Të dielën, më 9 nëntor, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave ku asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë shumicën prej 50+1% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve të 12 tetorit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, balotazhi do të zhvillohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamusha dhe Kllokot. Gara më e ngushtë pritet në disa komuna kryesore, përfshirë Prishtinën, Mitrovicën, Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Vushtrrinë. Në Prishtinë, përballja do të jetë mes Përparim Ramës nga LDK dhe Hajrulla Çekos nga VV, ndërsa në Mitrovicë mes Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të VV-së. Në Fushë Kosovë garojnë Valon Prebreza (LDK) dhe Besnik Osmani (VV), në Obiliq Xhafer Gashi (LDK) dhe Halil Thaçi (VV), ndërsa në Vushtrri përballen Ferit Idrizi (PDK) dhe Sylejman Meholli (VV). Fushata për balotazhin nisi më 3 nëntor dhe do të përfundojë para ditës së zgjedhjeve. Sipas KQZ-së, në këto 18 komuna kanë të drejtë vote 1,346,397 qytetarë, prej të cilëve 29,725 janë të regjistruar për votim jashtë vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
