Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është cenuar rëndë, duke kërkuar që në këtë komunë të zhvillohet rivotim i menjëhershëm. Në një konferencë për media, Gruda tha se gjatë procesit zgjedhor janë vërejtur shkelje të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas tij, në disa qendra të mëdha votimi janë evidentuar parregullsi serioze, të cilat e bëjnë të domosdoshme përsëritjen e votimit. “Nuk është çështja nëse besojmë ne ose jo që ka qenë gabim teknik. Edhe me supozimin se ka qenë gabim teknik, kjo e dëmton procesin dhe procesi duhet të shkojë në rivotim. Nuk mund të thuash ka ndodhur një gabim teknik dhe do ta sanojmë atë. Kjo është sikur të shtypësh fletëvotime e të harrosh të shkruash PDK”, tha Gruda. Ai shtoi se gabimi i pretenduar teknik nga kompania kontraktuese ka ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin zgjedhor, prandaj nuk mund të lihet pa pasoja. “Askush nuk mund të thirret në faktin se ka pasur një gabim teknik dhe të vazhdohet sikur asgjë s’ka ndodhur. Procesi është komprometuar dhe votat nuk përfaqësojnë më vullnetin e qytetarëve,” theksoi ai. PDK insiston se rivotimi në Mitrovicë është i vetmi hap që mund të rikthejë besimin në procesin zgjedhor dhe të garantojë transparencë e drejtësi për të gjithë qytetarët.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
