Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka konfirmuar sot se është duke shqyrtuar ankesën e dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës, lidhur me pretendimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Jugut. PZAP njoftoi se ankesa me numër ZL.Anr.439/2025 është pranuar dhe se vendimi do të merret brenda afatit të paraparë ligjor. Institucioni konfirmoi se deri tani nuk janë paraqitur ankesa të tjera të ngjashme nga subjekte të tjera politike apo nga komuna të tjera. Në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë janë identifikuar një sërë keqpërdorimesh, përfshirë fletëvotime pa vulë, mospërputhje të numrave serik dhe fletëvotime pa numra serik. PDK ka theksuar se këto parregullsi rrezikojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe ka kërkuar rivotim, duke e quajtur këtë mënyrën e vetme për të garantuar drejtësi dhe respektim të votës së qytetarëve. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar rifillimin e numërimit të votave, pasi kompania sllovene CETIS ka pranuar përgjegjësinë për një gabim teknik në printimin e fletëvotimeve, që kishte shkaktuar ndërprerjen e procesit të numërimit. PZAP pritet të marrë vendimin përfundimtar së shpejti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
