Ariana Musliu-Shoshi kundër idesë së Presidentes për zgjatje buxhetore: Precedent i rrezikshëm institucional

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kundërshtuar ashpër propozimin e Presidentes Vjosa Osmani për zgjatje buxhetore, duke e quajtur atë një praktikë të rrezikshme për sistemin institucional të vendit. Reagimi i saj vjen pasi Presidentja sugjeroi që, për të shmangur krizën e pagesave në sektorin publik, të shqyrtohet mundësia e një zgjatjeje të përkohshme të buxhetit në mungesë të miratimit të atij të ri. Osmani tha se iniciativa synon të mbrojë pagat dhe mirëqenien e qytetarëve, duke theksuar se bllokimi i buxhetit dhe i Planit të Rritjes ka ardhur për shkak të mungesës së gatishmërisë së disa partive për ta proceduar atë në Kuvend. Por Musliu-Shoshi reagoi duke paralajmëruar se një ndërhyrje e tillë do të cenonte ndarjen e pushteteve dhe rolin kushtetues të institucioneve. Sipas saj, as Presidentja dhe as ndonjë institucion tjetër nuk mund të zëvendësojnë Kuvendin në kompetencat e tij ekskluzive për miratimin e buxhetit. Deputetja e PDK-së thotë se hapja e një precedent të tillë do të krijonte praktikë të rrezikshme për vendin dhe do të zbraste Kuvendin nga pushteti i tij ligjvënës. Ajo shtoi se përgjegjësia politike duhet të kërkohet aty ku i takon, ndërsa procedurat kushtetuese nuk mund të anashkalohen për arsye politike. Debati për buxhetin pritet të thellohet në ditët në vijim, teksa vendi rrezikon ngecje financiare nëse nuk gjendet një zgjidhje institucionalisht e qëndrueshme.

 

Kontrolloni gjithashtu

Rudina Xhunga rikthen në vëmendje një faqe të artë të humanizmit shqiptar

Gazetarja Rudina Xhunga solli në qendër të debatit publik një prej kapitujve më të ndritshëm …