Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka mbajtur dje protestën e radhës kundër, siç e cilëson ajo, padrejtësive ndaj ish-luftëtarëve të lirisë në procesin gjyqësor të zhvilluar në Dhomat e Specializuara në Hagë. Protesta u organizua në Strasburg të Francës, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gjatë tubimit, përfaqësuesit e OVL-UÇK-së dorëzuan 285 letra, secila e adresuar individualisht për çdo anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës. Në këto letra, organizata ka paraqitur shqetësimet e veta lidhur me trajtimin e të akuzuarve dhe me standardet e procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale. Në njoftimin e saj, OVL-UÇK ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për “drejtësi, transparencë dhe respektim të plotë të të drejtave të luftëtarëve të lirisë”, ndërsa ka bërë të ditur se ky aksion përfaqëson një përpjekje të koordinuar për t’i sensibilizuar institucionet ndërkombëtare lidhur me shqetësimet e komunitetit shqiptar. Organizata ka bërë publike edhe përmbajtjen e letrës së dorëzuar, të cilën e ka dërguar tek të gjithë 285 anëtarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
