Gjenerali Wesley Clark, ish-Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, ka nisur sot dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke u paraqitur si dëshmitari i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. Seanca, e cila filloi sot në mesditë pas një zhvendosjeje të orarit nga ana e gjykatës, pritet të zgjasë deri të mërkurën, më 19 nëntor 2025. Pasi Clark të përmbyllë dëshminë, gjykata do të mbajë një konferencë mbi ecurinë e procesit gjyqësor. Ndërkohë, seanca e planifikuar për 21 nëntor është anuluar. Faza e paraqitjes së provave nga Mbrojtja ka nisur më 15 shtator, me dëgjimin tre-ditor të ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin. Pas tij, para trupit gjykues ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje. Sipas njoftimeve të gjykatës speciale, 14 nëntori ka shënuar mbylljen zyrtare të fazës së mbrojtjes, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklarimet mbi ndikimin e krimeve të pretenduara ndaj viktimave pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025. Dëshmia e Clarkut vlerësohet si një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi, duke shënuar fundin e fazës së provave nga ana e ish-presidentit Thaçi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
