leoni

Gruda para Supremes: 51.42% e vendvotimeve me fletëvotime të gabuara – PDK kërkon rivotim të plotë në Mitrovicë

Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur një kontestim të detajuar 18-faqësh në Gjykatën Supreme, duke kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që refuzoi kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Mitrovicë. Sipas PDK-së, PZAP e ka bazuar vendimin e vet kryesisht në raportin e KQZ-së dhe të kompanisë CETIS, pa kryer asnjë hetim të pavarur apo ekspertizë mbi parregullsitë e evidentuara në proces. Gruda thekson se vetë KQZ ka pranuar se në 54 nga 105 vendvotime, përkatësisht 51.42%, numrat serikë të fletëvotimeve kanë qenë të gabuar – një përqindje që PDK e konsideron dëshmi të qartë e cila cenon integritetin zgjedhor. Në argumentimin e tij, ai iu referua edhe precedentëve të Gjykatës Supreme, përfshirë vendimin e vitit 2011 kur Mitrovica ishte dërguar në rivotim vetëm për shkak të mosfunksionimit të llampave verifikuese për dy orë, çka – sipas tij – tregon se shkelje më të vogla se këto kanë çuar më parë në përsëritje të zgjedhjeve. PDK pretendon se në shumë vendvotime janë gjetur fletëvotime pa vulë, me dy vula, ose të vendosura në kutitë e vendvotimeve të tjera.  Një tjetër pikë kritike e PDK-së është verifikimi i 105 kutive të votimit brenda vetëm dy ditësh nga PZAP, proces i cili – sipas partisë – është zhvilluar pa transparencën e duhur dhe pa praninë e përfaqësuesve të tyre. PDK e përmbyll ankesën duke deklaruar se çështja “nuk lidhet me politikë, por me besimin e qytetarëve se çdo votë numërohet drejt dhe se procesi zgjedhor është i paanshëm dhe transparent.

Kontrolloni gjithashtu

Sali Bislimi nga protesta në Strasburg: “Zëri ynë nuk ndalet deri në lirimin e çlirimtarëve”

Pas një varg protestash të mbajtura në disa qytete evropiane, kërkesat për lirimin e ish-krerëve …