Shqipëria hap grup-kapitullin e fundit të negociatave me BE-në më 17 nëntor

Shqipëria do të hapë zyrtarisht të hënën, më 17 nëntor 2025, grup-kapitullin e fundit të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhet me “Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin”. Ky hap do të formalizohet në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, ku do të marrë pjesë Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar. Kryeministri e vlerësoi këtë moment si “të pa mendueshëm”, duke theksuar se Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave brenda 12 muajsh – një rekord në procesin e integrimit evropian. Pas takimit, Rama, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos dhe Ministrja e Jashtme e Danimarkës, Marie Bjerre, do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp. Grup kapitulli V përfshin pesë fusha kyçe: bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikat rajonale dhe dispozitat financiare. Për Shqipërinë, hapja e këtij grup kapitulli nënkupton modernizimin e sektorit bujqësor, rritjen e kapaciteteve prodhuese, forcimin e kontrolleve të sigurisë ushqimore dhe rritjen e aftësive për menaxhimin e fondeve të BE-së. Ky hap shihet si vendimtar drejt afrimit përfundimtar me BE-në, ndërsa objektivi i qeverisë mbetet përmbyllja e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi i plotë në vitin 2030.

Kontrolloni gjithashtu

Gruda para Supremes: 51.42% e vendvotimeve me fletëvotime të gabuara – PDK kërkon rivotim të plotë në Mitrovicë

Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur një kontestim të detajuar 18-faqësh në …