Në politikën bashkëkohore po vërehet një fenomen i përsëritur në shumë vende të Botës dhe me theks të veçant në vendet e Europës Qendrore dhe Ballkanit: momenti kur një kastë politike, posa vjen në pushtet, e humb logjikën racionale të qeverisjes dhe e zëvendëson atë me justifikime të vazhdueshme. Ky transformim nuk ndodh brenda një dite. Pra, është produkt i mënyrës se si partitë populiste ngjiten në pushtet: me premtime të thjeshta, me retorikë emocionale, me përkufizime të qarta të “armikut të brendshëm”, dhe me një lloj komunikimi që mohon kompleksitetin e realitetit. Kur populizmi fiton, arsyetimi politik i mbështetur në ekspertizë, të dhëna, programe dhe reforma nis të venitet, ose shuhet qe në fillim. Në vend të tij rritet prodhimi i justifikimeve, që janë instrumenti kryesor për të ruajtur imazhin e një lidershipi të infallibilitetshëm.
Ky fenomen vërehet në shumë vende: si në Hungarinë e Viktor Orbanit, në Sllovakinë e Robert Ficos, etj, deri edhe në Kosovë me mënyrën se si Albin Kurti e ka ndërtuar diskursin politik në pushtet. Në thelb, problemi nuk është vetëm te individët, por te vetë mekanizmi që i prodhon dhe i mban në pushtet këta liderë: populizmi modern, i cili ngrihet në kontrast të plotë me modelin liberal-demokratik të qeverisjes.
Populizmi si mekanizëm i ardhjes në pushtet
Populizmi e paraqet veten si një forcë e “vullnetit të popullit”, duke krijuar një identitet të qartë miq–armiq. “Ne”- populli i pastër, i pandotur nga korrupsioni, tradhtia apo elitat kundrejt “atyre tjerëve”: burokratëve, intelektualëve, mediave apo institucioneve ndërkombëtare. Kjo ndarje e thjeshtëzuar nuk është vetëm mjet elektoral; ajo është filozofi politike që i jep legjitimitet diskursit gjysmë-konfliktual. Në pamjen e jashtme, populistët shfaqen si kundërshtarë të sistemit, si “shkatërrues të status quo-së”. Por kur marrin pushtetin, ata nuk sjellin një sistem të ri funksional; përkundrazi, e zëvendësojnë racionalitetin institucional me një narrativë të vazhdueshme justifikuese. Gjithmonë gjejnë një fajtor, që i pengon në sukseset e tyre. Ose opozita, ose mediet, ose drejtësia, ose faktorë të jashtëm.
Në Hungari, Orbani ndërtoi fushata të tëra mbi “mbrojtjen e civilizimit europian” nga migracioni. Në Sllovaki, Fico akuzoi institucionet europiane për “ndërhyrje” dhe vendosi fokusin te narrativat e frikës. Në Kosovë, diskursi anti-establishment dhe anti-korrupsion u shndërrua në mekanizëm politik dominant, por pa prodhuar plane të qarta afatgjata të qeverisjes. Këtu dorën në zemer nuk kishte kush ta bënte, sepse shumica e ministarve kishin probleme tehmelore me njohuritë bazike të qeverisjes. Në të gjitha rastet, populistët përdorin emocione për të mbuluar boshllëqet programore.
Nga arsyeja te justifikimi: mekanika e pushtetit populist
Kur partitë populiste vijnë në pushtet, ndodhin tre procese paralele: 1. Konsumi i arsyes. Programet e tyre politike janë të thjeshtuara dhe zakonisht nuk janë të zbatueshme. Populizmi përdor formula morale, jo teknike: “do të bëjmë drejtësi”, “do të luftojmë korrupsionin”, “do t’i kthejmë dinjitetin popullit”. Këto nuk janë programe konkrete, por slogane. Në praktikë, ato kërkojnë ekspertizë dhe reforma të vështira, që shpesh nuk u përshtaten pritjeve të elektoratit. E 2-ta. Rritja e justifikimit.
Kur arrijnë në qeverisje, populistët përballen me realitetin: buxhete të kufizuara, varësi ndërkombëtare, institucione të ndërlikuara, kufizime kushtetuese. Mospërputhja mes premtimeve dhe mundësisë reale qe e detyron qeverinë të rikrijojë narrativën e fitores nëpërmjet justifikimeve:
- “Nuk na lanë të punojmë.”
- “Po e luftojmë sistemin e vjetër.”
- “Institucionet e trashëguara janë pengesë.”
- “Fajtorë janë faktorët e jashtëm” etj.
Kjo është mënyra me të cilën justifikimi e zëvendëson arsyen. Në vend të analizës së problemeve, prodhohen armiq të rinj për t’u akuzuar.
Kultivimi i krizës së përhershme
Pushtetet populiste nuk mund të funksionojnë në një realitet të qetë, me institucione stabile dhe me dialog racional. Thjeshtë populistet kanë nevojë për kriza, sepse kriza justifikon autoritarizmin e butë dhe redukton hapësirën e debatit kritik. Hungaria e Orbanit përdor vazhdimisht diskursin e “rrezikut nacional”, Sllovakia e Ficos ka ngritur tensione rreth sigurisë dhe konspiracioneve, ndërsa Kosova shpesh operon me narrativën e vazhdueshme të një lufte morale kundër “sistemit të vjetër” dhe grupit politik lista serbe.
Orbáni, Fico dhe Kurti: tre raste të të njëjtit sindrom
Rasti I Hungarisë me Orbanin si model i justifikimit të institucionalizuar. Kryeministri hungarez është shembulli më ekstrem i këtij fenomeni. Fillimisht erdhi në pushtet me retorikë kundër korrupsionit dhe elitarizmit. Por shumë shpejt përdori fitoren politike për të transformuar vetë institucionet. Qeveria e tij njihet për:
- kontroll të mediave,
- centralizim të pushtetit,
- rishkrim të kornizës kushtetuese,
- përdorim të aparatit shtetëror për interesa partiake.
Justifikimi i përbashkët i të gjitha këtyre veprimeve është “mbrojtja e kombit”, duke e paraqitur çdo kritikë si komplot të pengesave të jashtme të BE-së, George Soros-it, apo migrantëve të imagjinuar.
Sllovakia: Fico dhe politika e rikthimit përmes frikës
Robert Fico, ndryshe nga Orbani, nuk u shfaq si “lider shpëtimtar”, por si një politikan që rikthehet gjithmonë duke përdorur frikën si mjet. Diskursi i tij shpesh bazohet në:
- promovimin e teorive konspirative,
- sulme ndaj institucioneve të drejtësisë,
- viktimizimin e qeverisë së tij.
Justifikimi i Ficos është ndërtuar mbi idenë se ai është “i vetmi që mund të ruajë stabilitetin”, ndërsa të tjerët janë pjesë e kaosit dhe nën ndikimin e jashtëm.
Kosova: Kurti dhe justifikimi moral
Në Kosovë, fenomeni shfaqet në mënyrë më ndryshe, por të ngjashme në strukturë. Diskursi politik i Albin Kurtit është kryesisht moral: luftë kundër padrejtësive, korrupsionit dhe dështimeve të qeverive të mëparshme dhe sovranitetin edhe në veri të vendit. Kur narrativat morale ballafaqohen me sfida të qeverisjes ekonomike, diplomatike, apo të menaxhimit të brendshëm, këto shpesh dalin justifikime që përsërisin të njëjtën logjikë populiste:
- “Ne jemi të ndershëm, pengesat vijnë nga të tjerët.”
- “Sistemi i vjetër po reziston.”
- “Faktori ndërkombëtar nuk e kupton drejt realitetin tonë.”
- “Lufta hibride nga mediet dhe oligarket“. etj
Kjo krijon një hendek mes retorikës dhe rezultateve të prekshme, ku shpesh mbushet me justifikime në vend të analizës së thellë të politikave. Pra ne jemi më të mirët, pavarësisht ekipoit krejt joprofesional dhe jo rrallë të zhytur ne korrupsion dhe afera korruptive.
Kur justifikimi bëhet kulturë politike
Ky fenomen bëhet problem serioz jo vetëm për qeverisjen, por për të gjithë kulturën politike të një shoqërie. E kur arsyeja zhvendoset, ndodhin këto pasoja: Politizimi i qytetarëve.
Kur qytetarët dëgjojnë vetëm premtime dhe arsyetime, por jo plane dhe rezultate reale, ata dhe ato fillojnë të ruajnë një distancë ndaj çdo gjëje që ndërlidhet me politikën. Politika shndërrohet nga një mjet të pjesëmarrjes në një arenë spektakli emocional. Shihe Kosovën ku është me ketë problem. Pasoja tjetër është fshirja e ekspertizës.
Ekonomistët, juristët, diplomatët dhe studiuesit nuk kanë vend në një sistem ku vendimet merren mbi bazën e narrativave morale. Populistët i paraqesin ekspertët si pjesë të “elitës që s’ka lidhje me popullin”. Krejt kush nuk janë me ta, janë kundër tyre dhe kundër popullit.
Normalizimi i pasaktësive është problem tjetër, ku justifikimet bëhen të zakonshme, edhe informatat e pasakta normalizohen. Populizmi lëviz drejt relativizimit të së vërtetës dhe krijimit të një realiteti paralel.
Përçarja shoqërore vazhon të jetë pasojë serjoze, teksa krijimi i vazhdueshëm i armiqve, edhe kur ata nuk ekzistojnë, ndan shoqërinë dhe e bën dialogun politik më të vështirë.
Çfarë vjen më pas? Mundësia e rikthimit të arsyes
Për të dalë nga kjo spirale, shoqëritë duhet të ndërtojnë një ekosistem të ri të politikës, ku forcimi i institucioneve duhet të jetë objektiva thelbësore, ndërsa institucionet e pavarura janë kundërpesha e justifikimeve të pushtetit. Sa më të forta institucionet, aq më e vogël hapësira ku ka populizm për të ndërtuar realitet alternativ.
Nga ana tjetër ddukimi politik dhe media e verifikuar duhet fuqizuar, në mënyrë që qytetarët me qasje kritike dhe media profesionale janë balancë natyrore ndaj retorikës së thjeshtuar.
Programet reale nga partitë që ofrojnë programe të matshme, me afate dhe indikatorë, krijojnë një kulturë të re përgjegjshmërie, por duhet kujdes në përballje me populizimin e egër. Edhe qeverisja e bazuar në dialog ku liderët që janë të gatshëm të bashkëpunojnë, të pranojnë kritika dhe të sqarojnë me transparencë politikat e tyre, mund të rikrijojnë lidhjen e prishur mes politikës dhe qytetarit, zakonisht duke mos bashkëpunuar me partitë populiste.
Dhe krejt për fund, kur justifikimi e zëvendëson arsyen, shoqëria rrezikon të ngecë në një cikël emocional, ku politika humbet funksionin e vet kryesor: zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Populizmi, edhe pse vjen me premtime të thjeshta dhe të fuqishme emocionalisht, shpesh nuk ka kapacitet të ndërtojë mekanizma të qëndrueshëm qeverisës. Orbani, Fico dhe Kurti paraqesin tre versione të këtij fenomeni, nga autoritarizmi i institucionalizuar, te politika e frikës dhe te moralizimi i vazhdueshëm.
Nëse politika dëshiron të rikthehet në logjikën e arsyes, duhet të mbështetet në program, në dialog dhe në institucione. Në të kundërt, justifikimet do të vazhdojnë të zëvendësojnë arsyen dhe demokracia do të dobësohet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
