Nga Prof. Dr. HASAN HOXHA: Të pathënat për Fatos Nanon: Politikan vizionar, vlerësonte njohjen, por më shumë meritokracinë

Nga Prof. Dr. HASAN HOXHA: Të pathënat për Fatos Nanon: Politikan vizionar, vlerësonte njohjen, por më shumë meritokracinë

 Jo pak vota që numëron sot PS-ja, vijnë nga grupe dhe individë me interesa të momentit.

– Pas largimit shumë përkrahës të ish-kryetarit Fatos Nano, mbetën në… “udhëkryq”.

-Për shkak të devizës miqtë e Nanos në PS e patën sa të vështirë dhe të pamundur, rikthimin aktiv në PS për shkak se lidershipi i ri, ishte i rrethuar me josocialistë.

– Lidershipi i ri me përkrahësit e Nanos në PS përkeqësoi raportet, ndërpreu edhe komunikimin me disa prej tyre.

– Deviza e tij: Të lëmë pushtet që të bëjmë shtet; bashkëqeverisja me partitë aleate, apo koalicione të gjera; delegimi i pushtetit dhe ndarja e tij; kultivimi i mendimit ndryshe etj.

 

Nëse do të zgjidhja një person në politikën shqiptare, për të cilin do të kisha dëshirë të shkruaja, padyshim ai do të ishte Fatos Nano. Jo thjesht pse njohja mes nesh fillon qysh në vitet ’80, por më shumë për intensitetin e punës dhe përballjen e përbashkët asokohe me shumë probleme. Roli dhe protagonizmi i tij në majën e politikës së majtë të vendit, më ka lënë vazhdimisht mbresa të veçanta.

Në një farë mënyre, kjo ka qenë edhe një nxitje që të përfshihesha në politikën aktive pas viteve’90, të isha i zgjedhur në forumin qëndror të PS-së dhe deputet i saj, në dy mandate radhazi. Disa momente gjatë fazave të njohjes dhe bashkëpunimit me Nanon, edhe pse janë në raporte të drejtëpërdrejta, i vlerësoj si produkt të punës dhe inteligjencës individuale të subjektit, çka sipas meje përbëjnë veçori në personalitetin e tij.

 Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005 më kanë bërë përshtypje disa momente në sjelljen politike të Fatos Nanos.

Së pari. Ai dha dorëheqjen e parevokueshme nga pozicioni i kryetarit të Partisë Socialiste; nuk rekomandoi kandidaturë duke e lënë garën të lirë; megjithë kërkesat e shumta, nuk hyri në garë vetë dhe nuk mori anën e askujt në këtë proces; nuk shfrytëzoi mundësitë e shumta që kishte për të devijuar votën, duke lënë të lirë vullnetin e delegatëve. Personalisht, së bashku edhe me delegatët mbështetës të rrethit, edhe pse interesoheshim, nuk morëm asnjë mesazh nga Fatos Nano për drejtimin e votës në kongresin zgjedhor.

E dyta. Përcillte me shqetësim disa zhvillime jonormale në Partinë Socialiste edhe pse i dorëhequr. Përshembull, përfshirjen në struktura drejtuese të individëve që deri atëhetë ishin afishuar kundra këtij formacioni politik; mënjanimin në zgjedhjet partiake të shumë individëve pro tij apo deklaratat mohuese të arritjeve në qeverisjen tetëvjeçare të PS-së etj. Pavarësisht këtyre, me lëvizjen për mendimin ndryshe, Nano vazhdonte të bënte takime masive me mbështetësit në qytete të ndryshme të vendit, punonte që të fitonin kandidatët e PS-së e të majtës progresiste në zgjedhjet vendore të vitit 2007 etj.

Por, me format që përdorte lidershipi i ri i partisë, sidomos me joshje e presione, filloi zbehja graduale e funksionimit të lëvizjes për mendimin ndryshe. Kjo lëvizje fatkeqësisht, anatemohej, pengohej dhe sulmohej edhe pse ishte pjesë e PS-së, që punonte në vijimësi për forcimin e saj, në vend të njohjes e legalizimit.

Së treti. Kur ndërpreu drejtimin e lëvizjes për mendimin ndryshe, ky grupim përfundoi në shkrirje, sepse askush brenda tij, në kushtet kur zhvillimet paszgjedhore kishin avancuar, nuk pati kurajon dhe aftësinë drejtuese për një proces të tillë që gjithsesi mirëpritej.

Edhe pas këtij momenti, me Fatos Nanon, me të cilin pjesëtarë të ndryshëm të këtij grupimi mbanin lidhje, kam parë një qasje krejt liberale të tij, një qëndrim shumë civil në politikën e ditës. Ai ndiqte ecurinë e këtij grupi që nuk e drejtonte më, ashtu si dhe lëvizjet politike të individëve të caktuar.

Në këtë proces, ditë e javë më pas, kujtoj momentin, kur shumë përkrahës të ish-kryetarit Fatos Nano, mbetën në… “udhëkryq”. Për shkak të devizës ndryshe një pjesë syresh, e patën sa të vështirë aq dhe të pamundur, rikthimin aktiv në PS për shkak se lidershipi i ri, i rrethuar me josocialistë, me avancime në përkeqësimin e raporteve, kishte ndërprerë edhe komunikimin me disa prej përkrahësve të ish-kryetarit Nano. Ndërkohë, raporte të tjera të ngushta kishte vendosur me të ardhurit rishtas në parti, pra me ata që cilësoheshin “rilindas”.

 Kam qenë një nga të shumtit që nuk e prita mirë largimin e tij nga drejtimi i PS-së. Por, tani pas gati dy dekadave, e vlerësoj këtë sjellje si rastin e vetëm të përgjegjësisë politike të një lideri. Ndërsa, për demokracinë e brishtë shqiptare, si leksionin me vlerë në çdo kohë dhe për këdo.

Deviza e tij: Të lëmë pushtet që të bëjmë shtet; bashkëqeverisja me partitë aleate, apo koalicione të gjera; delegimi i pushtetit dhe ndarja e tij; kultivimi i mendimit ndryshe etj, mbeten tema me objekt studimi për të ardhmen dhe një praktikë e vlefshme për zbatim…

Dorëheqja e Nanos nga kreu i PS-së, kur votat i kishte dhe PS-ja nuk kish humbur mbështetjen, veç një akti civil të pashembullt, ishte dhe një shërbim tjetër me vlerë për këtë parti. Ai i dha shansin partisë së tij të mos thellonte përçarjen, të vetëkorigjohej e të unifikohej në opozitë, të shkundej nga “gjethet”, duke forcuar “trungun” për një të majtë të vërtetë europiane. Me punë dhe riorganizime, me tubime dhe aksione demokratike, ajo të rikthehej shpejt dhe dobishëm në drejtimin e vendit. Ndodhi vërtetë ky rikthim pas dy mandatesh, veçse projeksionet e Nanos nuk po vërtetohen të zbatuara në shumë prej fushave…

Njëra prej këtyre, qëndrimi i stërzgjatur në pushtet. Sigurisht, me boshllëqe dukshëm në qeverisje, me meritokraci të përzier me servilizmin politik, me procese zgjedhore të sforcuara e të kontestueshme, me mangësi në përfaqësime dhe devijime të votës së zgjedhësve etj. Jo pak vota që numëron sot PS-ja, vijnë nga grupe dhe individë me interesa të momentit. Madje, duket sikur tërësia e tyre i përket një “lëvizjeje”, njëlloj siç ndodhi me PD-në e vitit 1992. Në analogji, pas ikjes nga pushteti, grupe dhe elementë të kësaj lëvizjeje, për arsye nga më të ndryshmet, nuk do të përshtaten me kalimin në opozitë. Me shumë gjasë mjaft prej tyre do të pozicionohen gjetkë, ndërsa socialistët e vërtetë do të mbeten po ashtu, të lënë pas dore, të pamjaftueshëm sigurisht për rikthime demokratike në pushtet.

Nga ky këndvështrim, idetë dhe modeli i drejtimit të Fatos Nanos, bashkë me dorëheqjet e tij, përbëjnë kohezion të përhershëm për socialistët, për të qenë gjithnjë aty, në shtim dhe forcim të vetvetes, kundër praktikës për të kaluar zgjedhjet e radhës me vota hua nga “hallexhinjtë”, nga tregtarët e votave dhe grupet e interesit që me PS-në i ka bashkuar vetëm interesi i momentit.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …