Formimi i Qeverisë së propozuar nga Glauk Konjufca dështoi të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, pasi votimi nuk arriti shumicën e nevojshme prej 61 votash. Nga 110 deputetë të pranishëm, vetëm 56 votuan për, 53 kundër dhe katër abstenuan, duke e çuar vendin drejt një situate të re politike. Tani, përgjegjësia për hapat e radhës i kalon Presidentes Vjosa Osmani, e cila, në bazë të Kushtetutës, pritet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme. Në lidhje me këtë ngërç politik, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka reaguar ashpër, duke akuzuar partinë që dikur vetë e përfaqësonte. Sipas Humollit, bllokimi i Kuvendit ka ardhur nga vetë Vetëvendosja dhe jo nga opozita. Ai thotë se VV-ja nuk ka qenë e interesuar të gjejë zgjidhje politike dhe se një qeveri teknike do të kishte qenë alternativa më e drejtë. “Ky ka qenë bllokim prej VV-së. Nëse prap ajo fiton, do ta bllokojë sërish Kuvendin për shkak të çështjes së Presidentit. Kjo qeveri nuk ka pasur interes për t’i zgjidhur problemet. Duhej të bëhej qeveri teknike, sepse që nga fillimi dihej se me këtë metodë nuk mund të arrihej marrëveshje”, u shpreh ai. Humolli madje tha se VV-ja ka synuar të “djegë” partitë e tjera para zgjedhjeve, duke i futur në situata të pafavorshme. “Ata kanë dashur t’i djegin partitë tjera para zgjedhjeve, në mënyrë që ato të pësojnë dëme materiale dhe politike. Tani gjithçka varet nga puna e opozitës në terren”, deklaroi ai, duke shtuar se me kandidimin e Dimal Bashës ishte e qartë që Qeveria nuk do të formohej.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
