Abdixhiku rrëzon versionin e Presidentes: Pakoja u ofrua, por 15 ditë heshtje, krizë e inskenuar për fajësim politik

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani, e cila një ditë më parë tha se partitë politike nuk janë paraqitur në seancë për të votuar buxhetin për tre komuna. Sipas Abdixhikut, versioni i Presidentes “nuk qëndron” dhe realiteti është krejt tjetër. Ai tha se në mbrëmjen e mandatimit të Glauk Konjufcës kishte ofruar një pako kompromisi, të quajtur madje edhe “Pako e Presidentes”  që përfshinte zgjatjen e buxhetit me 3 muaj, miratimin e ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, sigurimin e pagave për RTK-në dhe votimin e Pakos Evropiane të Rritjes. Sipas tij, Presidentja e kishte vlerësuar idenë dhe kishte njoftuar se edhe Lëvizja Vetëvendosje ishte shprehur pozitive. Abdixhiku deklaron se menjëherë ka kontaktuar edhe Memli Krasniqin, Ramush Haradinajn, dhe Fatmir Limajn, si dhe disa ambasadorë të QUINT-it, duke i informuar për mundësinë e një marrëveshjeje të gjerë. Por pas asaj nate, thotë ai, për 15 ditë nuk ka pasur asnjë komunikim nga Presidenca dhe Qeveria, një heshtje që ai e quan “tendencë për krijim krize dhe fajësim politik”. Sipas Abdixhikut, propozimi i tij u rikthye vetëm në momentin kur tashmë ishte vendosur shpërndarja e Kuvendit, duke e paraqitur situatën si të pashmangshme. Ai akuzoi institucionet se për 12 muaj kanë prodhuar qëllimisht bllokada, ndërsa krizën aktuale e quajti “inskenim të betejës së Don Kishotit me mullinjtë e erës”. “E vërteta është kështu, dhe për këtë qëndroj para vendit dhe Zotit”, shkruan Abdixhiku.

Kontrolloni gjithashtu

Adem Jashari

Më 25 nëntor të vitit 1997 forcat e UÇK-së në krye me Adem Jasharin, sulmuan forcat e policisë serbe në Vajnik të Skenderajt

Më 25 nëntor 1997, në Vajnik të Skenderajt, u shkrua një nga faqet më të …