Mbrëmë, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, dolën në skenën e edicionit të 53-të të Festivalit Kosovarja Këndon, 14 këngëtare të cilat me zërin e tyre, talentin artistik i dhanë emocione të papërsëritshme publikut në sallë dhe shikuesve përmes valëve të transmetuesit publik në festivalin ikonik të muzikës popullore “Kosovarja Këndon”.
Mes 14 këngëtareve garuese, juria e përbërë nga Elife Podvorica-soprano, Ylber Asllanaj- profesor në Fakultetin e Arteve, dega e muzikës si dhe Sami Pira- kompozitor, kritik në fushën e muzikës, vendi i parë iu nda këngëtares së talentuar Vlera Kastrati, vendi i dytë Donika Kovani, vendi i tretë Rinesa Krasniqi, Çmimi Special “Nexhmije Pagarusha” – Viola Piraj, gjersa Çmimi i gazetarëve “Skender Idrizi” iu nda këngëtares Vlera Kastrati, çmime këto që u ndanë nga Nënkryetari i Komunës, Lulzim Aliu, drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Xhemile Murati Shabani, fituesja e parë e Festivalit Kosovarja Këndon, Sadije Hoxha Çarkaxhiu, anëtari i AAKV “Kastriotët” Murat Baliu si dhe përfaqësuesi i Jurisë, Ylber Asllanaj.
Kjo mbrëmje e magjishme me muzikën e mirëfilltë shqipe, ishte edhe më e veçantë në këtë edicion me skenografinë e veçantë përgatitur nga artistja ferizajase Pranvera Sylejmani, gërshetuar edhe me simbolin përkujtimor të gjenocidit në Kosovë – Lulëkuqen e Kosovës.
Në këtë edicion të këtij festivali, që po mbahet në kuadër të manifestimit për Festat e Nëntorit, u ndanë edhe mirënjohje si për Shoqatën “Çamëria” dhe z. Arbon Vata, për mbështetjen e vazhdueshme dhënë këtij festivali.