Përplasje në KQZ: PDK-ja kushtëzon miratimin e buxhetit me amendamentin për fletëvotimet e diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon të përballet me bllokim, pasi as sot nuk arriti të miratojë buxhetin prej 7 milionë e 771 mijë eurosh për organizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Shkak për ngërçin janë bërë kundërshtimet e anëtarëve të PDK-së, të cilët po kërkojnë që para votimit të buxhetit të miratohet një amendament që lidhet me dërgimin e fletëvotimeve me postë për diasporën. Sipas përfaqësuesve të PDK-së, sekretariati i KQZ-së nuk ka planifikuar buxhet për dërgimin e fletëvotimeve origjinale tek votuesit jashtë vendit, duke e cilësuar këtë si mangësi të rëndë procedurale. Ata paralajmëruan se miratimi i buxhetit pa këtë amendament mund të rrezikojë procesin zgjedhor dhe të lërë pa përfaqësim mijëra votues të diasporës. Në momentin kur kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tentoi ta procedojë buxhetin për votim, Arianit Elshani nga PDK-ja e kundërshtoi duke kërkuar që fillimisht të vendoset për amendamentin. “Kryetar, ndoshta ma s’pari duhet amendamentin,” tha Elshani, ndërsa Ilir Gashi nga i njëjti subjekt politik shtoi: “Je i obliguar me qitë në votim amendamentin, tani buxhetin.” Radoniqi insistoi se buxheti është urgjent dhe duhet miratuar, por debati u tensionua, duke e shtyrë sërish vendimmarrjen. Pavarësisht kërkesës për pauzë, diskutimet vazhduan dhe mbledhja mbeti e bllokuar.

Kontrolloni gjithashtu

Pas publikimit rezultateve të regjistrimit të popullatës në Maqedoni, Ali Ahmeti ka thënë se ky fakt është pasqyrë reale e gjendjes faktike

Ali Ahmeti: Rexhepi dhe Nuhiu ishin më shumë se veprimtarë, ishin mendje të ndritura

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin …