Gjykata speciale në Hagë kanë caktuar mbajtjen e seancës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi më 28 nëntor, ditë që në Kosovë dhe mbarë shqiptarinë shënohet si festë zyrtare e Flamurit. Kjo datë historike ka nxitur reagime të ashpra, veçanërisht nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së. Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, u shpreh se vendimi i Speciales tregon mungesë respekti ndaj historisë dhe sakrificës së shqiptarëve. “Ne e kemi konsideru që kjo gjykatë nuk ka respektu vlerën, historinë tonë, atë çka kanë dhënë shumë e shumë dëshmorë, gjeneratë pas gjenerate,” tha Syla, duke theksuar se caktimi i seancës pikërisht në Ditën e Flamurit përçon mesazh të gabuar. Sipas tij, 28 Nëntori ka qenë gjithmonë një datë e shenjtë për shqiptarët, nderuar edhe gjatë viteve të luftës. Ai kujtoi se kjo ditë lidhet ngushtë me momentet kyçe të historisë së re shqiptare. “Është festë zyrtare në krejt shqiptarinë. Ne e kemi respektu këtë datë edhe në kohë lufte… Edhe historia jonë më e re lidhet me këtë datë, sepse atëherë është zyrtarizuar UÇK-ja, e pastaj kemi edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari,” u shpreh Syla. Vendimi i Speciales vjen në një periudhë të ndjeshme politike dhe emocionale për vendin, ndërsa reagimet pritet të intensifikohen afër datës së seancës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
