Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pas debatit për buxhetin e Prishtinës dhe mosfunksionimin e komisioneve parlamentare. Murati po keqinterpreton me qëllim propozimin e LDK-së, duke theksuar se qëndrimi i partisë së saj ka qenë i qartë: të shqyrtohet pakoja e Presidentes për të shmangur krijimin e komisioneve parlamentare, për shkak të mungesës së ndarjes pozitë–opozitë në legjislaturën aktuale. “Propozimi i LDK ka qenë që të shqyrtohet një pako e Presidentes, që të tejkalohet domosdoshmëria e krijimit të komisioneve parlamentare… dhe tejkalon absurditetin që kjo qeveri t’i propozojë një legjislature tjetër projektligje”, shkroi ajo. Kica-Xhelili akuzoi Muratin dhe kabinetin qeveritar se po shtyjnë vendin drejt shkeljeve kushtetuese, duke thënë se në Vetëvendosje “edhe shkelja e Kushtetutës konsiderohet akt patriotik”. “Ju definitivisht nuk e bëni dallimin e të bardhës me të zezë, Hekuran. Po kështu ndodh kur merr barrën e juristit për partinë, sepse ata që i keni, shkeljen e Kushtetutës e konsiderojnë akt patriotik. Mbrapshtë po të mësojnë”, shkroi ajo. Në fund, nënkryetarja e LDK-së i ka vënë në pah qeverisë një tjetër pyetje kritike: “Pse i humbët 15 ditë kur nuk i kishit numrat? Kush me kë po tallet?”, shtoi Kica-Xhelili.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
