Besnik Tahiri i përgjigjet akuzave të VV-së: “Haradinaj ka 7–8 plagë nga granatat, ai ka luftuar për këtë vend”

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka insinuar se ish-partitë opozitare, përfshirë AAK-në, kanë lidhje të tërthorta me Millan Radoiçiqin – i akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Tahiri i quajti të pavërteta dhe të papranueshme akuzat që, sipas tij, synojnë të njollosin figurën e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Duke theksuar historinë e Haradinajt në luftë, Tahiri tha se “nuk ka asnjë krahasim moral” midis atyre që kanë luftuar për vendin dhe akuzave që po bëhen sot nga VV-ja. “Ramush Haradinaj i ka 7 ose 8 plagë në trup nga granatat. As vetë s’e di sa i ka. Veç në skaner që i sheh njeri në trup të vet sa herë ndërron koha”, deklaroi Tahiri. Ai shtoi se këto akuza janë sulme politike që synojnë të devijojnë nga dështimet e qeverisë dhe se përpjekjet për ta lidhur Haradinajn me struktura kriminale serbe janë “nën nivelin e çdo debati politik serioz”. Debatet e ditëve të fundit janë ashpërsuar pas përplasjes mes VV-së dhe partive opozitare, të cilat e kanë akuzuar qeverinë për tentim të manipulimit të opinionit publik për qëllime elektorale.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …