Mbrojtja e Thaçit godet Prokurorinë Speciale: “Po na pengon provat dhe po deformon procesin”

Procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi ka hyrë në fazën më të ndjeshme, ndërsa përplasjet mes Mbrojtjes dhe Prokurorisë po bëhen gjithnjë e më të ashpra. Kësaj radhe, avokatët e Thaçit kanë akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar se po e pengon qëllimisht pranimin e pesë deklaratave të një dëshmitari të rëndësishëm, të njohur si W04752. Sipas Mbrojtjes, Prokuroria jo vetëm që kundërshtoi kërkesën për ta futur dëshmitarin në listën e mbrojtjes, por sipas tyre, po krijon pengesa procedurale për të mos lejuar që deklaratat të merren parasysh nga trupi gjykues. Avokati Luka Misetiq ka deklaruar se Prokuroria ka fshehur argumente kyçe dhe nuk ka zbuluar se cilat pjesë të dëshmisë së dëshmitarit pretendon se janë dëmtuar nga ajo që e quan “klimë frikësimi”. Mbrojtja e akuzon ZPS-në se po lë hapësirë të qëllimshme për të sulmuar besueshmërinë e dëshmitarit në fazën e konkluzioneve përfundimtare, pa pasur mundësinë që këto sfida të kundërshtohen me prova të plota gjatë procesit. Sipas Misetiq, fakti që Prokuroria nuk ka bërë pyetje të drejtpërdrejta për këto çështje gjatë dëshmisë, por i ruan ato për fund të gjykimit, “dëmton barazinë e palëve dhe e deformon procesin”. Mbrojtja ka shprehur hapur zhgënjimin që ZPS refuzoi marrëveshjen paraprake për pranim të deklaratave dhe, sipas tyre, i detyroi të kërkojnë rrugë procedurale që nuk do të ishin të nevojshme po të kishte pasur vullnet bashkëpunimi.

Kontrolloni gjithashtu

Daut Haradinaj i sigurt: “AAK-ja, e kalon lehtësisht pragun dhe do jetë pjesë e Qeverisë së re”

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, është shprehur i bindur se AAK-ja …