Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpërndarë një mesazh të gjatë e emocional dedikuar mërgatës shqiptare, duke theksuar kontributin historik të brezave që kanë jetuar dhe punuar jashtë vendit. Ai tha se mërgimtarët e kanë mbajtur Kosovën gjallë në zemrat e tyre dhe se rrugëtimi i tyre është më shumë se histori mërgimi – është histori sakrifice dhe qëndrese. “Prej një shekulli, brez pas brezi, keni nisur rrugëtimin me një copë zemre të lënë në pragun e shtëpisë. Mërgimi juaj nuk është thjesht largim, por sakrificë për jetën dhe lirinë”, shkroi Haradinaj, duke kujtuar edhe vështirësitë e mërgimtarëve nëpër podrume e banesa të ngushta në Evropë, ku malli për atdheun dhe familjen ishte i përhershëm. Ai tha se shumë prej tyre e kanë ndërruar rrugën e punës me rrugën e luftës, duke dhënë kontribut në çlirimin e vendit. “Rrugëtimi ishte i atyre që luftuan e u angazhuan, i dëshmorëve e i heronjve që Kosova gjithmonë i nderon”, u shpreh ai. Haradinaj theksoi se mërgata mbetet forcë e pazëvendësueshme për të ardhmen e vendit.
“Ju e doni Kosovën më shumë sesa fjalët mund ta përshkruajnë. Kosova ka nevojë për ju, siç edhe ju e keni mbajtur gjallë Kosovën në zemrat tuaja”, përfundoi ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
