Shqipëria sot shënon 113 vjet nga Shpallja e Pavarësisë, një nga momentet më madhështore dhe përcaktuese të historisë kombëtare. 28 Nëntori, i njohur si Dita e Flamurit, bashkon shqiptarët kudo që jetojnë në një festë që simbolizon lirinë, identitetin dhe aspiratat shtetformuese të kombit.
Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, nën drejtimin e Ismail Qemalit, u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u ngrit Flamuri Kombëtar, duke i dhënë fund sundimit pothuajse pesëshekullor osman. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme njoftoi menjëherë gjashtë Fuqitë e Mëdha — Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë — si dhe shtetet ballkanike, duke kërkuar njohjen e shtetit të ri shqiptar si shprehje e vullnetit të popullit.
Në këtë ditë historike, Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe kryetar i Kuvendit, ndërsa përbërja e qeverisë u miratua me përfaqësues nga të gjitha krahinat shqiptare, duke e shpallur Pavarësinë si akt mbarëkombëtar.
Akti i Pavarësisë është themeli i shtetit modern shqiptar: një rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave shekullore për mbrojtjen e territorit, ruajtjen e identitetit dhe krijimin e një rendi politik të pavarur. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, populli shqiptar fitoi të drejtën e tij legjitime për të qenë i lirë e i barabartë me kombet e tjera të Evropës.
Shpallja e Pavarësisë shënoi fundin e sundimit osman dhe hapi rrugën drejt zhvillimit politik, ekonomik dhe kulturor të vendit, duke u bërë një fitore e madhe kundër politikave copëtuese të monarkive ballkanike të kohës.
113 vjet më pas, 28 Nëntori mbetet data më kuptimplote e historisë shqiptare — një ditë krenarie, reflektimi dhe mirënjohjeje për ata që bënë të mundur shtetin shqiptar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
