Ish-ambasadori dhe politikani Gjergj Dedaj ka deklaruar se rreziku më i madh për keqpërdorim të votës së diasporës në zgjedhjet e 28 dhjetorit qëndron në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Ai thekson se këto përfaqësi janë mbushur me militantë dhe familjarë të afërt me pushtetin aktual, pasi janë larguar diplomatë të konsideruar rivalë politik. Sipas tij, kjo është një përgatitje e qëllimshme për të ushtruar kontroll politik mbi procesin e votimit jashtë vendit. Dedaj ka theksuar gjithashtu se Lëvizja Vetëvendosje ka synuar hapjen e qendrave të votimit jashtë ambasadave, në hapësira private, si restorante ose objekte të pronarëve të lidhur me VV, duke krijuar sipas tij kushte për keqpërdorim masiv të votave. Ai thekson se ndërsa ambasadat janë të mbuluara me kamera vëzhguese, këto hapësira private mund të përdoren për manipulim të procesit zgjedhor. Ish-ambasadori Dedaj ka akuzuar qeverinë për degradim të shtetit gjatë pesë viteve të fundit, për dëmtim të raporteve me aleatët euroatlantikë dhe për vendosjen e Kosovës nën masa ndëshkuese nga partnerët ndërkombëtarë. Ai paralajmëron se, të vetëdijshëm për këto dështime, VV pritet të rrisë agresivitetin politik dhe të tentojë të ndikojë në votën e diasporës, duke e konsideruar humbjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme si të pashmangshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
