Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i është drejtuar Qeverisë në detyrë që nga 26 nëntori për ndarjen e 11.5 milionë eurove për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025, por ekzekutivi i drejtuar nga Albin Kurti ende nuk ka dhënë përgjigje. Kjo vonesë rrezikon nisjen e proceseve të ndryshme zgjedhore, përfshirë shtypjen e fletëvotimeve, përgatitjen e pakove për votim jashtë vendit, trajnimin e stafit dhe furnizimin me materialet zgjedhore. Për shkak të mungesës së buxhetit, KQZ po konsideron procedura emergjente për të siguruar fillimin e aktiviteteve thelbësore të prokurimit. Vetëm për shërbimet postare të votimit jashtë Kosovës, buxheti i planifikuar është 3.7 milionë euro për rreth 84,000 votues. Afatet e vendosura nga KQZ parashikojnë që votimi me postë të nisë më 12 dhjetor, ndërsa mungesa e mjeteve financiare mund të rrezikojë këtë proces. Buxheti i miratuar nga KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit është gjithsej 11,493,526 euro, duke përfshirë edhe dërgimin e pakove me fletëvotime dhe ndryshime të tjera të miratuara gjatë mbledhjes së 25 nëntorit. Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ kanë kundërshtuar përdorimin e votimit me postë, por shumica e anëtarëve kanë argumentuar se kjo procedurë siguron një proces më të sigurt dhe pa manipulime.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
