Komandant Sadik Halitjaha ka bërë një analizë të thelluar lidhur me çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e cilësuar si një “absurd politik dhe historik”. Sipas Halitjahës, pala serbe kërkon të marrë Veriun si shpërblim për njohjen e shtetit të Kosovës, një veprim që ai e quan “verbëri gllavruse historike e bërë fillimisht me okupim dhe tani po kërkohet me nënshkrim”. Halitjaha shprehet se njohja nuk garanton paqe dhe siguri, dhe se fuqizimi ekonomik dhe ushtarak i Serbisë mund të rrezikojë seriozisht stabilitetin e Kosovës. Ai thekson se Kosova duhet të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, politik dhe diplomatik, si dhe fuqizimin e institucioneve të sigurisë, duke përfshirë Ushtrinë, Policinë dhe AKI-në. “Armiqtë nuk ndalen nga sjellja e kulturuar apo lutjet, ata ndalen vetëm kur e dinë që jemi të përgatitur për luftë dhe të gatshëm për mbrojtjen e vendit dhe popullit tonë”, deklaron Halitjaha. Komandanti gjithashtu paralajmëron për rreziqet që sjell njohja e kufijve aktualë me Serbinë, duke potencuar humbjen e territoreve historike si Kosova Lindore, Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Toplica, si dhe pjesë të tjera të tokave shqiptare që janë legjitimuar ndërkombëtarisht për fqinjët. Ai përfundon se Kosova nuk duhet të njohë Serbinë dhe i bën thirrje popullit shqiptar që të bashkohet kundër çdo forme tradhtie ndaj Atdheut.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
