Mbrojtja e krerëve të UÇK-së mbyll çështjet, Specialja afaton vendimin për fund të majit

Në Gjykatën Speciale ka arritur faza përfundimtare e gjykimit ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë njoftuar zyrtarisht trupin gjykues se po mbyllin çështjet e tyre. Në parashtresat e publikuara, mbrojtja e Thaçit konfirmon se nuk ka më dëshmitarë apo materiale provuese për t’u paraqitur. “Mbrojtja e mbyll çështjen e saj, pa u cenuar ndihma e mundshme që mund të kërkohet për çështjet e provave që mbeten pezull,” thuhet në dokument. Një njoftim i ngjashëm është bërë edhe nga mbrojtja e Jakup Krasniqit. Ky vendim vjen pas refuzimit të shtimit të Bislim Zyrapit në listën e dëshmitarëve. Në seancën e fundit, si mbrojtja ashtu edhe Prokuroria kërkuan ndryshime në afatet e dorëzimit të dosjeve përfundimtare dhe dhënien e fjalës përfundimtare. Prokuroria dhe mbrojtja kërkuan afat deri më 30 janar për dorëzimin e dosjeve, dhe 45 ditë më pas për dhënien e fjalës finale. Gjykata Speciale nuk aprovoi krejtësisht kërkesën dhe caktoi që dosjet përfundimtare të dorëzohen më së voni deri më 19 janar, ndërsa fjalët finale do të jepen nga 9 deri më 13 shkurt. Pas dhënies së fjalëve përfundimtare, gjyqtarët kanë të paktën tre muaj për të nxjerrë vendimin në shkallën e parë. Si rezultat, vendimi për Thaçin, Krasniqin dhe të tjerët pritet të shpallet në fund të majit ose në fillim të qershorit. Ky është një hap vendimtar drejt përmbylljes së një prej proceseve më të rëndësishme për drejtësinë në Kosovë, duke u fokusuar në llogaridhënien e krerëve të UÇK-së gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999.

Kontrolloni gjithashtu

Eliza Hoxha

Eliza Hoxha: Veprimet e Vjosa Osmanit po e afrojnë me Vetëvendosjen

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka hedhur kritika të drejtpërdrejta ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke …