U betuan Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe 27 anëtarët e Kuvendit Komunal

Sot, në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të Komunës së Malishevës, kanë dhënë betimin Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, si dhe 27 anëtarët e Kuvendit Komunal. Me këtë rast, të zgjedhurit nënshkruan edhe deklaratat zyrtare të betimit.

Pas dhënies së betimit, kryetari Kastrati falënderoi qytetarët për besimin e dhënë për të udhëhequr komunën për një mandat të ri, duke theksuar se do të punojë dhe angazhohet pa dallim për të gjithë banorët e Malishevës. Ai e vlerësoi mbështetjen si përgjegjësi për katër vitet e ardhshme dhe si konfirmim të punës së realizuar gjatë mandatit të kaluar.

Kryetari Kastrati rikujtoi edhe projektet e realizuara në katër vitet e fundit, duke theksuar se “Malisheva urbane” ka qenë një projekt madhor transformues për qytetin, i cili do të vazhdojë me faza të reja dhe me shtrirje edhe në zonat rurale. Ai u zotua për vazhdimësi në përmirësimin e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit, rinisë, kulturës, sportit dhe bujqësisë.

“Jam kryetar i të gjithëve, pa asnjë dallim”, u shpreh Kastrati, duke bërë thirrje për bashkëpunim të të gjithë të zgjedhurve në shërbim të qytetarëve të Komunës së Malishevës. Ai uroi gjithashtu suksese për anëtarët e rinj të Kuvendit Komunal.

Në përmbyllje të ceremonisë, kryetari Kastrati dhe anëtarët e Kuvendit bënë nderime dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë, duke shprehur mirënjohjen e thellë për sakrificën e dëshmorëve të kombit dhe kontributin e tyre në luftën për liri.

Kontrolloni gjithashtu

Prezantohet profili ekzistues për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Në Sallën e Kuvendit të Komunës së Ferizajt është mbajtur sot sesioni publik për prezantimin …