Sami Lushtaku betohet si kryetar i Skenderajt

Sami Lushtaku të enjtën para anëtarëve të Kuvendit Komunal të Skenderajt është betuar si kryetar i kësaj komune.

“Unë Sami Lushtaku, betohem që do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat e mia si kryetar i komunës së Skenderajt, me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë”, ka thënë Lushtaku në betimin e tij para anëtarëve të Kuvendit Komunal të Skenderajt.

Pjesë nga fjala e tij me rastin e betimit si kryetar i komunës së Skenderajt:

“Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneralë të luftës, deputetë, anëtarë të Kuvendit Komunal, përfaqësues institucionalë, qytetarë të Skenderajt,

Të nderuar të pranishëm,

Sot qëndroj përsëri para jush me nderin më të madh që mund t’i jepet një biri të kësaj toke – besimin tuaj për të udhëhequr Skenderajn, çerdhen e çdo lëvizje për çlirimin e Kosovës dhe vendin i cili u ngrit me gjak, mund e sakrificë.

Para së gjithash, përulem me respektin më të thellë para sakrificës së brezave që e bënë të mundur këtë ditë. Përulem para emrit madhështor të Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jashari, familjes së tij heroike dhe çdo dëshmori që me gjakun e vet vulosi themelet e lirisë.

Sot nuk jemi këtu vetëm për të kujtuar të kaluarën, por për të mbajtur gjallë amanetin e saj.

Ne kemi obligim të vazhdojmë aty ku ata e lanë, me punë, me përgjegjësi dhe me vendosmërinë e një populli që nuk dorëzohet kurrë.

Të nderuar qytetarë,

Vendi ynë sot nuk përballet me luftë frontale por përballet me sfida të reja – sfida të zhvillimit, të ekonomisë, të arsimit, të shërbimeve, të infrastrukturës dhe të barazisë e drejtësisë shoqërore.

Këto sfida kërkojnë punë të palodhur, vullnet të hekurt dhe lidership të guximshëm.

Unë ju garantoj se do të jem kryetar i çdo qytetari – pa dallim bindjeje politike, familjare apo shoqërore.

Në këtë ditë solemne, e kemi edhe një obligim moral: të mos harrojmë liderët tanë që sot mbahen padrejtësisht në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

Ata që kontribuuan aq shumë për lirinë që sot e gëzojmë meritojnë drejtësi nga ky proces. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim me dinjitet, me zë të qartë dhe me besimin se e vërteta e luftës sonë çlirimtare do të triumfojë.

Të dashur qytetarë,

Mandati që më keni dhënë nuk është privilegj – është barrë e shenjtë, dhe unë e marr me përgjegjësi të plotë.

Zotohem se çdo ditë e këtij mandati do të jetë ditë pune.

Ditë përgjegjësie.

Ditë rezultatesh.

Zotohem se Skenderajn do ta bëjmë qytet të zhvillimit, të pastërtisë, të gjelbërimit, të sigurisë, rendit dhe mundësive për rininë tonë.

Zotohem se do të investojmë në qytet e në fshatra, në arsim e në shëndetësi, në infrastrukturë e në shërbime publike, në kulturë e në mjedis.

Bashkë do të investojmë në të ardhmen e qytetit tonë të përbashkët.

Skenderaj do të ecë përpara dhe do të ecë me hapa të mëdhenj.

Në fund, dua t’ju them këtë:

Unë as para zgjedhjeve nuk kam premtuar mrekulli, por premtoj punë e angazhim të parreshtur e të pandalur.

Nuk premtoj fjalë të mëdha, por premtoj punë të mëdha.

Dhe mbi të gjitha, premtoj se kurrë, asnjëherë, nuk do t’ju zhgënjej në besimin që më dhatë.

Bashkë do ta nderojmë të kaluarën e bashkë do të punojmë për ta ndërtuar të ardhmen.

Krejt në fund, falënderoj kryetarin e deritanishëm, Fadil Nurën, për punën dhe angazhimin e madh gjatë mandatit të tij, duke realizuar shumë punë e projekte konkrete, pavarësisht vështirësive financiare më të cilat jemi përballur.

Duke qenë mirënjohës përjetë për besimin e madh që më keni dhënë gjithmonë,

Ju faleminderit nga zemra”!

SL

 

Kontrolloni gjithashtu

Xhavit Zariqi zgjidhet Kryesues i Kuvendit të Komunës së Ferizajt

Pas betimit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, seanca e Kuvendit ka vazhduar …