Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, në fjalën e saj gjatë ministerialit të OSBE-së, ka theksuar rëndësinë e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke e konsideruar këtë çështje si prioritet të politikës së jashtme shqiptare. Spiropali tha se siguria në Evropë është një objektiv që Shqipëria e ndan me të gjitha vendet partnere, ndërsa nënvizoi se përparimi i qëndrueshëm i rajonit lidhet drejtpërdrejt me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. “Paqja, stabiliteti dhe siguria kudo në Europë vijojnë të jenë prioritetet tona kryesore. Siguria dhe përparimi i qëndrueshëm në rajonin tonë fillojnë me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, deklaroi ministrja shqiptare gjatë fjalës së saj në takimin e OSBE-së. Ajo rikujtoi se Kosova ka dëshmuar konsolidim institucional dhe orientim të qartë euroatlantik, duke theksuar rëndësinë që komuniteti ndërkombëtar të mbështesë afirmimin e saj të plotë në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Spiropali u bëri thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës të reflektojnë, duke e cilësuar njohjen si parakusht për stabilitet dhe bashkëpunim afatgjatë në rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
