Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas votimit të Listës Serbe për kryesuesin e Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës, post që tani udhëhiqet nga Valon Prebreza i Vetëvendosjes. Ajo ka akuzuar pushtetin se po përdor shpifje për të larguar vëmendjen nga skandalet në sektorin e energjisë. Bajrami mohoi në mënyrë të prerë pretendimet se ka propozuar heqjen e rentës minerare për gurëthyesit, duke theksuar se ndryshimi ka qenë amandament i deputetëve dhe jo propozim i Ministrisë së Financave gjatë kohës sa ajo drejtonte institucionin. Sipas saj, të gjitha dokumentet zyrtare në ministri dhe në Kuvend e dëshmojnë këtë. Ajo i bëri thirrje qeverisë të publikojë kontratat e energjisë dhe të sqarojë se prej kujt po blihet rryma, duke rikujtuar raportimet se në Danimarkë është konstatuar e kundërta e asaj që është deklaruar publikisht. Bajrami e cilësoi si paradoksale edhe votën e përbashkët të Vetëvendosjes me Listën Serbe në Fushë-Kosovë, duke e quajtur “bashkëpunim të hapur politik”. Ajo tha se akuzat ndaj saj janë tentativë për të mbuluar përgjegjësitë e qeverisë, ndërsa sfidoi pushtetin që, nëse beson në pretendimet e veta, t’i drejtohet Prokurorisë dhe jo rrjeteve sociale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
