Ali Ahmeti thirrje për mobilizim në Shkup: Lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet e drejtë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, dhe një nga themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 13 dhjetorit në Shkup, e cila synon të shprehë përkrahjen për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Ahmeti ka theksuar se protesta në Shkup do të jetë vazhdim i mobilizimit qytetar që tashmë është parë në Prishtinë dhe Tiranë, duke e cilësuar atë si një zë të fuqishëm në mbrojtje të drejtësisë dhe të vërtetës historike. Ai theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “ishte dhe mbetet e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike”, duke shtuar se akuzat ndaj çlirimtarëve nuk mund të ndërtohen mbi “montime dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia”. “Sheshi ‘Skënderbeu’ në Shkup do të jetë zëri i qytetarëve që kërkojnë drejtësi. Ashtu siç qëndruam në Prishtinë dhe Tiranë, do të qëndrojmë edhe në Shkup – krenarë dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës”, shkroi Ahmeti, duke ftuar qytetarët që më 13 dhjetor, në orën 13:00, të bashkohen në protestë. Në fund, ai theksoi: “Liria nuk gjykohet, liria mbrohet! Lavdi UÇK-së!”.

Kontrolloni gjithashtu

OVL-UÇK i përgjigjet Mickoskit: Deklarata e papranueshme

Më 13 dhjetor, nga ora 13:00, do të mbahet protesta e pestë me radhë në …