LDK kritikon menaxhimin e energjisë në Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër menaxhimin e sektorit të energjisë në vend, duke e konsideruar atë një nga skandalet më të mëdha që po dëmton themelet ekonomike të Kosovës. Ndërsa disa aktorë politikë fokusohen te çështje të parëndësishme, përfaqësues të LDK-së po ndjekin çështjet që lidhen me “mafian energjetike”. Ai ka vlerësuar punën e deputeteve Bajrami dhe Janina, të cilat, sipas tij, kanë shpalosur zinxhirin e përfituesve të kësaj afere, me Vuk Hamoviqin në krye. “Ky skandal duhet të jetë shqetësimi kryesor politik i ditës, jo fyerjet që nuk sjellin asgjë,” ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se për pesë vitet e fundit Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej 811 milionë eurosh. Vetëm gjatë këtij viti, sipas tij, janë shpenzuar 247 milionë euro për blerje të rrymës. Kreu i LDK-së ka theksuar se ky import masiv i energjisë, i cili po i afrohet një miliard eurove, do të mund të përdorej për investime në zhvillim, prodhim, shëndetësi, bujqësi dhe paga për mësimdhënësit dhe mjekët. “Një miliard euro që ka shkuar drejt një skeme të errët, të pafalshme, nga e cila fiton mafia energjetike dhe humb qytetari i Kosovës,” ka deklaruar Abdixhiku.

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Bajrami

Arsim Bajrami: Përdorimi i simboleve jokushtetuese nga Lista Serbe kërkon reagim institucional

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar sot vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, …