Liria e shtypit po kalon një nga periudhat më të errëta të dy dekadave të fundit, duke sinjalizuar një regres të rrezikshëm për gazetarinë globale. Raporti i fundit i “Reporterëve pa Kufij” zbulon se, pavarësisht epërsisë së disa vendeve europiane, tabloja e përgjithshme është alarmante dhe po përkeqësohet me shpejtësi. Ndërsa vendet nordike – Norvegjia, Finlanda, Suedia, Danimarka, Estonia dhe Holanda – vazhdojnë të mbajnë standardet më të larta të lirisë mediatike, pjesa tjetër e kontinentit po rrëshqet drejt kontrollit politik dhe presionit institucional ndaj gazetarëve. Situata nuk është më e mirë as në Ballkanin Perëndimor. Rajoni vazhdon të shfaqë shenja të qarta dobësie në fushën e lirisë së shtypit. Kosova renditet në vendin 99, duke rënë poshtë në listë dhe duke u afruar me shtete që tradicionalisht cilësohen autoritare, si Turqia, Bjellorusia dhe Rusia. Bosnia dhe Serbia po ashtu mbeten të bllokuara në nivele të ulëta, me media të kapura nga politika dhe interesa ekonomike. Për herë të parë që nga viti 2002, nota mesatare globale për lirinë e shtypit bie nën 55 pikë, një tregues shqetësues i krizës së thelluar. Më shumë se gjysma e shteteve të botës tashmë konsiderohen si “të vështira” ose “shumë serioze” për punën e gazetarëve. Raporti thekson se përqendrimi i pushtetit mediatik në pak duar, presioni politik, mungesa e pavarësisë editoriale dhe pasiguria ekonomike po e gërryejnë themelet e gazetarisë së lirë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
