Tri ndërmarrje të Elektroprivredës së Serbisë, të regjistruara me adresa fiktive në Kosovë, kanë grumbulluar borxhe që tejkalojnë 580 milionë euro, ndonëse nuk operojnë në territorin e Kosovës prej më shumë se 25 vjetësh. Termocentralet e Kosovës, Minierat Sipërfaqësore të Kosovës dhe Elektrokosmet figurojnë ndër 100 kompanitë më humbëse në Serbi, sipas të dhënave të Regjistrit Ekonomik serb të analizuara nga Radio Evropa e Lirë. Këto ndërmarrje, që për Prishtinën zyrtare nuk ekzistojnë, funksionojnë nga Beogradi dhe punësojnë mbi 3.100 persona, të cilët kryesisht kryejnë shërbime ndihmëse për sistemin energjetik serb. Edhe pse nuk operojnë në Kosovë, ato vazhdojnë të shpallin tenderë dhe të lidhin kontrata milionëshe me kompani serbe. Vetëm në vitin 2025 janë nënshkruar mbi 80 kontrata me vlerë mbi 5 milionë euro. EPS mbulon të gjitha pagat dhe shpenzimet e tyre – vetëm në vitin 2024 janë paguar rreth 55 milionë euro për paga. Raportet financiare flasin për punësime të reja, pavarësisht objektivit zyrtar për uljen e numrit të punëtorëve, ndërkohë që mungesa e konkurrencës në tenderë ngre dyshime për korrupsion. Termocentralet e Kosovës kanë humbje të akumuluara mbi 355 milionë euro, Minierat Sipërfaqësore të Kosovës mbi 111 milionë euro, ndërsa Elektrokosmet mbi 115 milionë euro. Adresat e tyre zyrtare në Kosovë ekzistojnë vetëm “në letër”, ndërsa aktivitetet zhvillohen tërësisht në Serbi./ Rel/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
