Kandidati i AAK-së për deputet, Pal Lekaj, ka folur sot për pritshmëritë e tij nga zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor. Ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të arrijë të marrë as 40 për qind të votave, duke u shprehur se qytetarët do të tregojnë vendin dhe do të refuzojnë strategjitë që sipas tij nuk u shërbejnë interesave të tyre. “Qytetari ka me vendosë më 28 dhjetor që me ia tregu vendin. Të jeni të bindur që as 40 për qind nuk do të marrin. Ne jemi gjallë e shëndosh dhe do të rikthehemi,” tha Lekaj, duke shtuar mesazhin e optimizmit për subjektin e tij politik. Ai gjithashtu kritikoi kryeministrin aktual, Albin Kurti, duke thënë se strategjia e tij politike ka qenë e gabuar dhe se ka tentuar të mashtrojë qytetarët. “Unë mendoj që më 28 dhjetor, Kurti do të bindet se ka ndjekur një strategji të gabuar, duke menduar se qytetarët mashtrohen lehtë. Por qytetari ynë nuk mashtrohet,” u shpreh Lekaj. Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme janë një moment vendimtar për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre dhe për të riafirmuar besimin në liderë dhe strategji që punojnë për interesin e tyre. Ai nënvizon se përvoja dhe angazhimi i tij dhe i AAK-së do të sjellin stabilitet dhe rigjallërim të dinamikës politike në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
