Eliona Alimani: PËRKUJTUAM ME SUKSES TË REJA 100-VJETORIN E SHKOLLËS 9-VJEÇARE “AHMET CAMI” GJORICË

Eliona Alimani: PËRKUJTUAM ME SUKSES TË REJA 100-VJETORIN E SHKOLLËS 9-VJEÇARE “AHMET CAMI” GJORICË

Na nderojnë sot, në këtë ditë të veçantë të shkollës sonë:

  • E nderuara zonja Festime Mjeshtri, kryetare e Bashkisë Bulqizë

  • Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës, z. Hazbi Lika

  • Zonja Tefta Cami

  • Drejtori i Zyrës Arsimore Bulqizë, z. Fatos Muha

  • Ish-mësues, ish-drejtues dhe ish-nxënës të shkollës sonë

Të dashur prindër, mësues, nxënës, miq dhe të ftuar,
Në emër të këshillit pedagogjik ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhjen në festën e 100-vjetorit të shkollës së Gjoricës.

Gjatë gjithë historisë, populli ynë nuk e ka ndarë dot kurrë luftën për pavarësi nga ajo për gjuhën dhe shkollën shqipe. Atdhetarët e Grykës së Vogël, por edhe të fshatit tonë, kanë përballuar pengesa e vështirësi të shumta për të ardhur në ditën e hapjes së shkollës shqipe.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, rilindasit dibranë u hodhën në veprim: krahas përpjekjeve për mësimin e gjuhës shqipe në vende të fshehta, dyqane, institucione fetare, madje edhe në qelitë e burgjeve, ata gjetën rrugë dhe forma të reja për pajisjen me abetare e gazeta shqip, të cilat vinin nga Manastiri, Stambolli, Sofia, Bukureshti etj.

Dibra e Madhe ishte një destinacion i rëndësishëm për shpërndarjen e materialeve mësimore në zona të sigurta, sidomos në Malësi, Gjoricë, Homesh, Bllacë, Zogje, Zerqan, Luzni etj.

Mersim Dema, në vitin 1894, mori në mbrojtje shkollën që hapi në shtëpinë e tij, së bashku me mësuesin Shaqir Daci, duke sfiduar autoritetet osmane. Pushtuesit osmanë e vranë mësuesin atdhetar Shaqir Daci.

Shpallja e Pavarësisë më 1912 hapi perspektiva dhe ngjalli shpresa të mëdha për shkollën shqipe, por këto u ndërprenë shkaku i pushtimit serb të Dibrës dhe të Shqipërisë verilindore.

Në janar të vitit 1917, prefekti i Dibrës, Ali Tehniu, i kërkoi Drejtorisë së Arsimit të Shkodrës hapjen e shkollave shqipe në Gjoricë, Zogje, Zerqan, Çidhën dhe Luzni. U hap vetëm ajo në Homesh, pasi mungonin mësuesit.

Në vitin 1923, Haki Sharofi – inspektor i Arsimit i Qarkut Dibër – i shkroi Ministrisë së Arsimit për të mundësuar hapjen e shkollës shqipe në Gjoricë, Cerenec dhe Vicisht. Shkolla e Gjoricës ishte fryt i përpjekjeve të Sheh Latifit, Aziz Xhekës, Dan Camit, Hasan Çelës, Haki Sharofit, Haxhi Ademit dhe popullit arsimdashës të fshatit tonë.

Në verën e vitit 1925, populli i Gjoricës i drejtoi Ministrisë së Arsimit një letër: “Kemi ndërtuar shkollën, duam mësuesin. Kemi siguruar ndërtesën, orenditë e nevojshme; marrim përsipër të gjitha shpenzimet për funksionimin e shkollës.”
(Arkivi Qendror i Shtetit, Ministria e Arsimit, Dosjet 7 dhe 48, viti 1926)

Shkolla u hap më 2 shtator të vitit 1925. Mësues u emërua Haxhi Skenderi, i cili erdhi nga komuna e Luznisë ku punonte sekretar. Për 10 vjet, në këtë shkollë vinin nxënës edhe nga Cereneci dhe Vicishti.

Në vitin 1939 në Gjoricë erdhi mësuesi Fasli Cami, dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare. Ai dha jetën më 8 prill 1941 për mbrojtjen e atdheut, si një militant antifashist dhe “Mësues i Merituar”.

Nga shkolla jonë kanë dalë qindra kuadro: mësues, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, agronomë, oficerë e profesionistë të tjerë.

Shkolla e Gjoricës u shqua ndër shkollat më të mira të Dibrës falë punës këmbëngulëse e vetëmohuese të mësuesve:
Haxhi e Zare Skenderi, Shemsi e Drita Zhulali, Zenepe Miftari, Zenel Cela, Hysni Tomja, Sulejman Çoku, Ramazan Koleci, Latif Dema, Medi Dema, Sali Fejza, Hamdi Spahiu, Tomorr Dani, Razie Gjura, Ilmi Gjura, Nafie Ruçi, Gëzime Hajdari, Pëllumb e Rremzie Cami, Avni Mera, Florë Cami, Faiz Xheleshi, Burbuqe Kacnia, Xhevat e Dhilhixhe Jella, Bukurie Lleshi etj.

Nuk mund të lihet pa u përmendur roli i drejtuesve të shkollës ndër vite:
Hamit Manjani, Shefqet Uka, Besim Turja, Bukurie Kaja, Riza Manjani, Osman Patria, Emin Ruçi, Nazmi Xheleshi, Faiz Xheleshi, Lulzim Markja, Met Leci, Tafe Xheka, Avni Mera, Shaban Izvira, Fatos Muha.

Si veprimtarë shoqërorë, kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore dhanë:
Adivie Miftari, Rremzi Dema, Osman Patria, Redife Lleshi, Femie Daci, Xhevdet Daci, Sul Xhepa, Shukri Hajdari, Naslie Mulia, Hajri Alimani etj.

Në vitet ’90 të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, një brez i ri mësuesish përballoi sfidat e demokracisë, tranzicionit dhe emigrimit. Ndër ta përmendim:
Tafe Xheka, Dylbin Reci, Rudina Hajdari, Liljana Xheka, Yllka Cela, Ana Cami, Basri Muha, Rabie Cami, Ravjola Kaja, Malvina Markja dhe shumë të tjerë.

Në veprimtaritë sportive, Gjorica është dalluar në nivel lokal dhe kombëtar, me merita të veçanta të mësuesve:
Fadil Cami, Bashkim Lila, Sabire Cami, Maliq Dumani etj.

Për kontributin dhe gjithë veprimtarinë e saj 100-vjeçare, shkolla e Gjoricës zë një vend të rëndësishëm në historinë e arsimit të Dibrës.

Nga ish-nxënësit tanë janë zgjedhur deputetë: Bukurie Lleshi (Kaja) dhe Ardit Kaja.
Janë shpallur “Qytetar Nderi” të Bulqizës: Haxhi Skenderi, Shirete Sharku, Zenepe Miftari, Bukurie Kaja, Elez Xheka, Besim Turja, Liman Dani, Zenel Cela, Ilmi Gjura, Beqir Mera, Rexhep Lika.
Gëzime Hajdari është nderuar me Medaljen “Naim Frashëri”.

Mësuesit që kanë punuar këtu kanë kujtime, mall dhe shumë ngjarje e përjetime, që mbeten pasuri për brezat.

Në shkollën tonë punojnë mësues me arsim të lartë, kryesisht të kualifikuar dhe plot energji.
Kolektivi i shkollës funksionon si një familje, ndaj shpreh bindjen se përvoja 100-vjeçare do të na shërbejë për të ecur përpara dhe për ta mbajtur Gjoricën ndër shkollat pararojë të Zyrës Arsimore Bulqizë.

Edhe njëherë, gëzuar festën e 100-vjetorit të shkollës!
Gëzime dhe suksese në vatrat tuaja familjare!

Drejtoresha
Gjoricë, më 21.11.2025
Eliona Alimani

Kontrolloni gjithashtu

Sabedin Sherifi: Horizonte të Ndryshme

Gjurmë gjaku në dëborë Kanë kaluar tri ditë që shoku humbi në mal. Bora e …