Ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shprehur besim të madh se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës do të dalë forca udhëheqëse e qeverisë së re. Atmosfera politike po krijon terren për një ndryshim të madh elektoral. Sipas Hoxhajt, fushata sapo ka nisur, por entuziazmi dhe gatishmëria e elektoratit për të dëgjuar programin e PDK-së po rriten dukshëm. “Nuk dua të them se po ndodh një përmbysje e papritur, por ka parakushte dhe një disponim të qartë për të pranuar mesazhin tonë,” tha ai. Prezantimi i platformës qeverisëse të kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, dhe angazhimi i kandidatëve për deputetë në terren do të jenë elementet që, sipas tij, do ta forcojnë edhe më tej mbështetjen për PDK-në. “Jam i bindur që ndryshimi politik më 28 dhjetor do të ndodhë. Qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga PDK-ja, në bashkëpunim me partitë që sot janë në opozitë,” deklaroi ai. Sipas tij, ky konfigurim i ri politik do të sjellë stabilitet dhe një qasje të re në qeverisje pas një viti të mbushur me tensione dhe zhvillime të papritura në skenën politike të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
