Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shfaqin një angazhim të shtuar ndaj stabilitetit institucional në Kosovë, në një periudhë të ndjeshme politike kur vendi po përgatitet për zgjedhjet e dyta parlamentare brenda një viti. Vizitat dhe takimet me përfaqësues të institucioneve kyçe po interpretohen si sinjale mbështetëse në një kohë tensioni mes pushtetit ekzekutiv dhe institucioneve të pavarura. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, priti në takim zyrtarin e Departamentit të Shtetit, Lyn Debevoise, zëvendësdrejtor për Çështjet e Europës Qendrore dhe Perëndimore. Sipas njoftimit të Gjykatës, Debevoise u informua për rolin dhe funksionimin e Kushtetueses, përbërjen aktuale të saj, praktikat e vendimmarrjes dhe sfidat me të cilat institucioni është përballur gjatë viteve të fundit. Rexhepi theksoi angazhimin e Gjykatës në rritjen e efikasitetit dhe harmonizimin e praktikës gjyqësore me standardet evropiane të drejtësisë kushtetuese, si dhe shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore. Vizita vjen në një moment kur si Gjykata Kushtetuese ashtu edhe KQZ-ja kanë qenë në qendër të debateve politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
