Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë thelbësore të administratës publike për funksionimin e shtetit, gjatë një takimi me Sindikatën e Pavarur të Administratës së Kosovës dhe kryetarin e saj, Ali Gashi. Haradinaj u shpreh se Kosova nuk mund të ndërtojë institucione efikase dhe të besueshme pa një administratë të motivuar, të paguar në mënyrë dinjitoze dhe të trajtuar me respekt. Sipas tij, mungesa e kushteve adekuate dhe nënvlerësimi i shërbyesve civilë paraqesin problem serioz për vetë shtetndërtimin. “Një administratë që shkon në punë pa motivim, që nuk shpërblehet si duhet dhe nuk ka siguri juridike, është tregues se diçka nuk funksionon në themelin e shtetit,” deklaroi Haradinaj. Ai njoftoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes programit qeverisës, synon ngritjen e standardeve të administratës publike në nivelin më të lartë në rajon. Haradinaj u zotua se shërbyesit civilë do të kenë pagën më të lartë në Ballkan, si dhe mbrojtje solide ligjore në cilësinë e shërbyesve të institucioneve të Republikës së Kosovës. Administrata është motori i shtetit. Kur ky motor funksionon mirë, çdo proces shtetëror ecën më shpejt, më pastër dhe më drejt, përmbylli Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
