Lulzim Peci: Deklaratat për “armët në oda” manipulim politik dhe mungesë respekti për ushtrinë

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti në Zvicër, se “më shumë armatim kishte në odat e Kosovës sesa në kazermat e ushtrisë”, duke e cilësuar atë si tentim për manipulim të së kaluarës dhe instrumentalizim politik të sigurisë. Peci thekson se, sipas një studimi të UNDP-së të vitit 2003, në duart e qytetarëve në Kosovë gjendeshin rreth 330 mijë deri në 420 mijë armë të lehta dhe të vogla, një realitet i lidhur me luftën dhe ndjenjën e pasigurisë, por që sot nuk përfaqëson gjendjen aktuale. Ai nënvizon se shumica e këtyre armëve janë vënë nën kontroll ligjor ose janë dorëzuar përmes mekanizmave të Policisë së Kosovës, duke e quajtur këtë një arritje të madhe në procesin e shtetndërtimit. Sipas Pecit, Kurti po injoron faktin se FSK është shndërruar në forcë ushtarake më 14 dhjetor 2018, në koordinim me SHBA-të, dhe se ky proces u finalizua politikisht gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt. Ai thekson se Kurti nuk e ka krijuar ushtrinë, por e ka trashëguar atë si realitet ligjor dhe faktik, me detyrim të qartë për ta zhvilluar sipas një dinamike të dakorduar me partnerët strategjikë. Peci kritikon edhe tendencën e qeverisë për ta shndërruar armatimin e FSK-së në marketing elektoral, duke lënë në hije faktin se ushtria ndërtohet mbi kuadro profesionale, doktrinë dhe aleanca të qëndrueshme, e jo vetëm mbi pajisje ushtarake. Ai rikujton se shumë kuadro të FSK-së janë shkolluar në institucione elitare perëndimore para fazës së armatimit. Në përfundim, Peci thotë se deklarata për “më shumë armatim në oda se në kazerma” është papërgjegjësi politike që dëmton shtetndërtimin dhe cenon respektin për ushtrinë profesionale të Kosovës, duke paralajmëruar se retorika elektorale në fushën e sigurisë nuk i sjell asgjë të mirë as vendit dhe as FSK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Ilirjana Mehmetaj: Psikologe e përkushtuar për ndryshim real dhe shërbim ndaj qytetarëve

Në Deçan u mbajt një takim pune i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku morën …