Qeveria Kurti i jep licencë EFT-së, në kundërshtim të hapur me deklaratat e mëhershme të kryeministrit

Kosova i ka lëshuar licencë kompanisë “Energy Financing Team” (EFT) gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2, ndonëse kryeministri Albin Kurti kishte mbajtur më herët një qëndrim publik tejet të ashpër kundër kësaj kompanie. Dokumenti që dëshmon licencimin e EFT-së, është publikuar nga ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Lahu, i cili bëri të ditur se licenca është dhënë nga Zyra e Rregullatorit për Energji. EFT është kompani në pronësi të biznesmenit Vuk Hamovic. Ky zhvillim bie drejtpërdrejt në kundërshtim me deklaratat e Kurtit nga viti 2019, kur ai kërkonte largimin e plotë të EFT-së nga tregu energjetik shqiptar dhe kosovar. Më 11 nëntor 2019, në një intervistë Kurti i bënte thirrje Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që ta largonin këtë kompani, duke e konsideruar prezencën e saj si të papranueshme. Në atë kohë, Kurti e lidhte madje legjitimitetin e lidershipit shqiptar me përjashtimin e EFT-së nga tregu energjetik. “Hapi më i rëndësishëm nuk janë veprimet simbolike, por largimi i EFT-së. Nuk mund t’i themi vetes liderë shqiptarë nëse vazhdon të na dominojë EFT-ja”, kishte deklaruar ai. Megjithatë, disa vite më vonë, EFT jo vetëm që nuk u largua, por mori edhe dritën e gjelbër institucionale për të operuar në Kosovë. Sipas Lahut, licenca është dhënë në një periudhë kur kryesuesi dhe gjysma e Bordit të ZRrE, ishin të emëruar nga Lëvizja VV, çka ngrit pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë politike dhe konsistencën e qëndrimeve të qeverisë aktuale.

Kontrolloni gjithashtu

Kurti premtoi ulje të çmimit të rrymës, por çmimi u rrit me mbi 16 % për qytetarët

Gjatë fushatës zgjedhore të viteve të kaluara, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte zotuar publikisht …