Komisioni Evropian

Komisioni Evropian liron rreth 50% të ndihmës financiare për Kosovën, 216 milionë euro

Komisioni Evropian ka njoftuar se do të lirojë rreth 50 për qind të ndihmës financiare për Kosovën, në vlerë prej afërsisht 216 milionë euro. Ky vendim vjen pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në tetor 2025. Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se ky hap do të mundësojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte të reja dhe nisjen e zbatimit të tyre. Sipas tij, “kjo do të lejojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte, që në total përfaqësojnë 34.6 milionë euro kontribut të Bashkimit Evropian, dhe nisjen e zbatimit të tyre”. Po ashtu, Komisioni Evropian ka paralajmëruar përfundimin e programimit të të gjitha fondeve të mbetura në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit IPA III për Kosovën, në vlerë prej 181 milionë euro. Sipas Komisionit, vendimi financiar për këto fonde pritet të miratohet në pranverën e vitit 2026, çka do të mundësojë që projektet e para të nisin në gjysmën e dytë të vitit 2026. Ky zhvillim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian për Kosovën, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit politike dhe zgjedhore në vend. Masat ndaj Kosovës nuk do të hiqen tërësisht, por do të zbuten gradualisht, pa u specifikuar ende afate apo masa konkrete që do të hiqen.

Kontrolloni gjithashtu

Sylë Ukshini: Në fushata duhet të ndryshohet diskursi politik, të hiqen narrativat e gabuara për shqiptarin

Ish-diplomati Sylë Ukshini ka vlerësuar se në Kosovë është e domosdoshme të ndryshohet diskursi politik …