Pushimi dimëror i Speciales, ndërkohë që drejtësia mbetet në vendnumëro

Gjykata Speciale në Hag ka hyrë në pushimin dimëror nga kjo e hënë, duke pezulluar seancat gjyqësore deri më 9 janar 2026. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë seanca dhe një pjesë e shërbimeve jo thelbësore do të funksionojnë me kapacitete minimale, ndonëse gjykata pretendon se mbetet “plotësisht funksionale”. Ky pushim vjen në një kohë kur procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së tashmë ka hyrë në vitin e pestë të paraburgimit, pa një epilog të qartë dhe me kritika gjithnjë e më të ashpra për zvarritje të qëllimshme të drejtësisë. Edhe pse Specialja thekson se parashtrimet dhe afatet vazhdojnë të rrjedhin, mungesa e seancave vetëm sa e thellon perceptimin publik për një proces të stërzgjatur dhe të pabarabartë. Seanca e fundit është mbajtur më 28 nëntor, një datë simbolike dhe e ndjeshme për shqiptarët. Ish-presidenti Hashim Thaçi e ka kritikuar hapur caktimin e kësaj seance, pasi ajo përkoi me Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari. Sipas Thaçit, shmangia e një date të tillë do të ishte minimumi i ndjeshmërisë institucionale që duhej të tregonte gjykata. Më 4 dhe 5 nëntor u shënuan pesë vjet nga arrestimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së, një përvjetor që e gjeti procesin ende në fazë dëgjimesh dhe pa asnjë vendim përfundimtar. Gjykimi, i cili ka nisur në prill 2023, ka parë përfundimin e dëshmive të prokurorisë në prill të këtij viti, ndërsa gjatë dy muajve të fundit janë dëgjuar vetëm shtatë dëshmitarë të mbrojtjes. Organizatat që dalin nga lufta e UÇK-së e kanë cilësuar këtë proces si “padrejtësi historike”, duke paralajmëruar se nuk do të tërhiqen përballë asaj që e shohin si një gjykatë politike, të shkëputur nga konteksti i luftës çlirimtare. Aktakuza e ngritur më 26 tetor 2020 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit i ngarkon ata me përgjegjësi për krime të pretenduara gjatë viteve 1998–1999.

Kontrolloni gjithashtu

Kur Uashingtoni flet një zë: Kritika bipartizane ndaj Gjykatës Speciale

Është e rrallë që e Majta dhe e Djathta amerikane të bashkohen publikisht në një …