Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor, duke thënë se shumë qytetarë kanë raportuar rritje mbi 70 për qind krahasuar me muajin paraprak. Sipas KMDLNj-së, kjo rritje është e pakuptueshme, pasi temperaturat nuk kanë shënuar dallime të mëdha dhe nuk ka pasur nevojë për shpenzime shtesë të energjisë. Në reagim, KMDLNj ka akuzuar Zyrën e Rregullatorit për Energji se ka vepruar në dëm të qytetarëve dhe ka kërkuar që Prokuroria e Kosovës të hetojë punën e këtij institucioni, licencimin e operatorëve dhe kontratat për shitblerje të energjisë elektrike. Po ashtu, kjo organizatë ka kërkuar hetime edhe për dyshime për korrupsion dhe ka ftuar qytetarët që të kundërshtojnë, siç thuhet, faturat jonormale të energjisë elektrike përmes reagimit qytetar dhe protestave. KMDLNj ka paralajmëruar se çdo rritje e re e çmimit të energjisë do të rëndojë edhe më tej gjendjen ekonomike të familjeve në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
