Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka folur për sektorin e energjisë, duke theksuar se sfidat aktuale nuk mund të zgjidhen përmes arsyetimeve dhe improvizimeve. Haradinaj ka deklaruar se Kosova ka nevojë për energji të sigurt, të qëndrueshme dhe të përballueshme, duke nënvizuar se kjo kërkon plane afatgjata, investime serioze dhe vendime të guximshme politike. Sipas tij, koha e ndërprerjeve, faturave të paparashikueshme dhe pasigurisë energjetike duhet të marrë fund. Ai ka theksuar se energjia nuk është luks, por bazë e zhvillimit ekonomik, funksionimit të bizneseve, sistemit arsimor dhe jetesës dinjitoze të qytetarëve. Në fund, Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve që ta mbështesin me votë, duke theksuar se vetëm me ndryshim qeverisës mund të shmangen pyetjet e përditshme si “a erdhi rryma?” dhe “sa erdhi fatura?”, duke përmendur numrin zgjedhor 129.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
